Urim HASIPI
Tetovë, 1 mars – Studentët e studimeve postdipolmike të Fakultetit Juridik së bashku me profesorin Bashkim Selmani kanë realizuar një punim shkencor të titulluar “Pozita e familjes tradicionale dhe jotradicionale në shoqërinë bashkëkohore”.Studimi është realizuar me 200 qytetarë të anketuar duke përfshirë të gjitha grupmoshat në Maqedoni. Sipas profesorit Selmani, shqiptarët në përgjithësi kanë ruajtur traditat e së kaluarës, megjithëse kohëve të fundit nuk respektohen edhe aq shumë.
“Në pyetjen se a mendoni se familjarët shqiptarë respektojnë traditat dhe u përmbahen rregullave tradicionale, një numër i madh i të anketuarve u përgjigjën me vendosshmëri se shqiptarët respektojnë traditat familjare, por jo me atë intensitet që kanë pasur më parë. Nga 200 të anketuar, rreth 110 u përgjigjën pozitivisht. Me këtë nënkuptojmë se familjet shqiptare respektojnë traditat familjare të brezave të kaluar, por me ndryshimin e kohës edhe këto tradita kanë humbur nga ajo që ka qenë klasike, megjithëse jo nga dëshira e tyre, por nga faktorët e kohës që pikërisht kanë prekur edhe tradita e familjes shqiptare në Maqedoni. Parë në këtë prizëm, mund të konstatojmë se edhe pse ka ndryshime në traditat shqiptare, përsëri pjesa dërmuese janë për t’u mbrojtur ato tradita, sepse është e dëshmuar nëpër hapësirat kohore se edhe vet traditat kanë qenë atë që shqiptarët i ka mbajtur të bashkuar dhe unik nga rreziqet dhe persekutimet e ndryshme”, sqaron Selmani, duke u thirrur në anketën e realizuar. Ai më tej thotë se shqiptarët kur kanë problem – së pari ndihmë kërkojnë nga familjarët.
“Një numër i madh i të anketuarve rreth 110 qytetarë ose 55 për qind u përgjigjën se në rast të daljes nga kontrolli i relacioneve ndërfamiljare, kërkojnë ndihmë nga të afërmit, sepse vetëm në atë mënyrë mund të tejkalohen problemet familjare. Veprim ky që është për të respektuar, sepse këtu bëjnë pjesë një kategori e qytetarëve që janë në kërkim të zgjedhje së problemit dhe në rast moszgjedhje nga brenda familjes, ata kërkojnë ndihmë nga të afërmit me një qëllim të vetëm për të mos u dëmtuar familja akoma më shumë”, thotë profesori Selmani. Sipas tij, me realizimin e pyetësorit anketues dhe analizimi i rezultateve të fituara nga ky anketim, mundësohet që të ketë një pasqyrë më reale për pozitën e familjes në Maqedoni, si dhe konkludimet shkencore që preferojnë disa ndryshime elementare për sfidat e familjes shqiptare në Maqedoni.
Qëllimi i këtij studimi, siç kanë thënë realizuesit, ka qenë që të arrihet deri tek rezultatet e mirëpritura, të përpunuara dhe studiuara nga të dhënat relevante të qytetarëve ekspertëve dhe mendimet e grupmoshave të ndryshme në lidhje me funksionimin e familjes shqiptare në Maqedoni. Gjithashtu në këtë pyetësor janë përfshirë edhe grupmoshat e ndryshme ku 20 për qind deri më 40 për qind janë përfshirë grupmoshat shkollore, duke filluar nga shkollat e mesme dhe ato universitare në Maqedoni, si dhe shoqata dhe asociacione të ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare që funksionojnë në Maqedoni. (koha.mk)