Besimtarët e krishterë, sot festojnë Krishtlindjet, e cila ndryshe njihet edhe si ditëlindja e Krishtit.
Ditëlindja e Krishtit shënohet më 24 dhe 25 dhjetor, ku mesha kryesore e Krishtlindjeve fillon në ora 24:00.
Për nder të kësaj feste, Ipeshkvia e Kosovës organizon aktivitetet e përhershme. Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në ora 18:00 zhvillohet pritja solemne, kurse në ora 23:30 mbahet Koncerti i Krishtlindjeve nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës dhe nga ora 24:00 fillon mesha solemne.
Krishtlindja (edhe “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” ndër besimtarët katolikë) është një festë fetare Krishtere.
Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit; në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij.
Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes.
Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes. Krishtlindja është festa në të cilën të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë.