Shtabi Qendror Zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim, sot realizoi takim me kandidatët për kryetar komunash, bartësit e listave të këshilltarëve dhe me shefat e shtabeve vendore.
Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor i BDI-së Fatmir Besimi, njoftohet në kumtesën e partisë, para të pranishmëve theksoi se mbrëmë Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, ka përcaktuar kandidatët për kryetar komunash si dhe listat e këshilltarëve për pushtetet vendore në komunat ku marrim pjesë.
BDI, sipas tij, në zgjedhjet e 15 tetorit do të garojë me 18 kandidatë për kryetar të komunave edhe atë në Komunën e Likovës, Haraçinës, Çairit, Shuto Orizarës, Studeniçanit, Sarajit, Zhelinës, Tearcës, Jegunovcës, Tetovës, Bogovinës, Vrapçishtit, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës, Pllasnicës, Dollnenit, dhe në komunën e Strugës. Në Bërvenicë mbështesim kandidatin e pavarur.
“Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje merr pjesë me 35 lista këshilltarësh nga të cilat tre lista janë të përbashkëta me parti politike shqiptare në Ohër, Manastir dhe në Gazi-Babë në dy të parat listat kryesohen nga kandidatët tanë. Me një fjalë, ne në këto gara hyjmë me 729 kandidatë për këshilltarë komunal. Listat janë reflektim i vullnetit të qytetarëve nëpër komuna dhe rezultat i konsultimeve të gjera me degë e këshilla vendorë. Kandidatë posedojnë kredibilitet personal dhe profesional dhe vizion të qartë për të ardhmen e komunave. Takimi i sotëm është i pari e Shtabit Qendror me kandidatët për kryetarë dhe kryesuesit e listave. Takimi është në funksion të mirorganizimit të zgjedhjeve në sensin që ato të jenë të lira, të ndershme, të besueshme e demokratike, konform standardeve ndërkombëtare”, tha Besimi.
Sipas tij një vëmendje e veçantë i kushtohet ofertës së BDI-së, gjegjësisht Programit për këto zgjedhje, për shkak se vlerësojmë se zgjedhjet e 15 tetorit janë tejet te rëndësishme: qytetarët zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre për pushtetin lokal, në mënyrë që t’u japin zgjidhje kërkesave dhe çështjeve nga përditshmëria e tyre, u shpreh Besimi.
“Kjo për shkak se Bashkimi Demokratik për Integrim tashmë ka dëshmuar se është e vetmja forcë politike shqiptare që e bën ndryshimin për një të ardhme më të mirë, më të sigurt për qytetarin, për kombin dhe vendin. Ne jemi thellësisht të bindur se në këto zgjedhje dalim me kandidatë personalitete që posedojnë dije dhe guxim për t’u dalë zot punëve që i presin, për shkak se jemi të ndërgjegjshëm se në punën e përditshme përgjegjshmëria dhe llogaridhënia duhet të jenë dalloja jonë kryesore në punën e përditshme”, u shpreh Shefi i shtabit të BDI-së, Fatmir Besimi.