Besimi në gjyqësor nuk kthehet me skandale

Nëse në fazat e mëtutjeshme të rastit “Shantazhi” vërtetohet përgjegjësia e Katica Janevës, kjo nuk duhet të jetë shkak për pengimin e reformave në sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ngjarjet e tilla – ekspertët e fushës së jurisprudencës i kanë cilësuar si goditje të madhe ndaj rritjes së mosbesimit që qytetarët i kanë për organet gjyqësore

Omer XHAFERI

Shkup, 19 korrik – Zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, nuk duhet ti rrezikojnë reformat e nisura në gjyqësor. Megjithatë, këto ngjarje – sipas ekspertëve, do të reflektojnë negativisht në kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në organet e drejtësisë në vend. Ish-gjykatësi Beqir Iseni për gazetën KOHA thotë se Prokuroria Speciale Publike, u formua nga vetë LSDM dhe në këtë drejtim – ata kanë dështuar shumë rëndë.
“Si do të shërohet kjo plagë e kësaj Qeverie është pikëpyetje. Nga ana tjetër, evidente është se këto ndodhi paraqesin një goditje serioze ndaj besueshmërisë që qytetarët duhet ta kenë ndaj sistemit të drejtësisë. Kur prokurorja speciale jep dorëheqje me kusht, me afat të caktuar, kur ajo e mbyll telefonin dhe nuk paraqitet në punë, kur gjykatat tjera heshtin, të gjitha ngjarjet rreth këtij rasti tregojnë se gjyqësori nuk qëndron në këmbë”, thotë ish-gjykatësi Iseni.
Natali Petrovska nga “Koalicioni për gjykim të drejtë”, shpreson se hetimet e Prokurorisë Publike për rastin “Shantazhi” do të kenë epilog juridik në drejtim të zbatimit të politikës e cila na mungon, e që ka të bëjë me politikën sanksionuese.
“Mendoj se zhvillimet e fundit në gjyqësor nuk duhet negativisht të reflektojnë në procesin e reformave. Përkundrazi, këto reforma janë jetike me qëllim të përmirësohet sistemi juridik dhe sundimi i ligjit. Kur flasim për çështjen e kthimit të besueshmërisë të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, ndodhitë e fundit gjithsesi se do të ndikojnë negativisht. Qytetarët edhe ashtu periudhës së fundit kanë pasur ulje të besimit ndaj PSP-së. Tashmë këto zhvillime do të kontribuojnë që kjo besueshmëri të zvogëlohet edhe më tej. Por, supozoj se nëse vërtetohen indikacionet se ndonjë prokuror ka ndikuar, apo është i përfshirë në hetime te Prokurorisë Publike, atëherë kjo do të ishte rast individual që do të sanksionohej me qëllim që institucioni i PSP-së të mund të vazhdoj edhe më tutje me punën e saj”, tha Petrovska.
Juristi Qenan Aliu, po ashtu thotë se hetimi i hapur lidhur me dyshimet për përfshirje të ndonjë prokurori nga PSP-ja në rastin “Shantazhi” nuk duhet të ndikoj në zhvillimin e reformave, sepse ky është procedim penal, e kuptohet – në drejtësi, përgjegjësia penale është individuale.
“Këto ngjarje mendoj se nuk kanë si të ndikojnë në uljen e besueshmërisë ndaj sistemit gjyqësor, sepse ajo edhe ashtu është tejet e ulët. Por ky rast duhet të shërbejë edhe si sprovë se si pushteti do të angazhohet për t’u hetuar gjithsecili që ka ra ndesh me ligjin, pavarësisht se kush dhe në cilin post gjendet aktualisht, sepse para ligjit të gjithë janë të barabartë. Megjithatë, gjithmonë duke pasur parasysh prezumimin e pafajësisë, më duhet të theksoj se kryeprokurorja e PSP-së, Katica Janeva, ndonëse në fillim nga qytetarët u pa si shpresë, fatkeqësisht ky dyshim e detronizoi në varrmihëse të drejtësisë. Por pavarësisht kësaj, në PSP si institucion ka shumë njerëz të aftë dhe kredibil”, thotë eksperti Aliu.

Edhe Brukseli zyrtar përmes ambasadorit të Bashkimit Evropian, Samuel Zhboggar, ka kërkuar nga institucionet në Shkup që ta zgjidhin statusin e Prokurorisë Speciale Publike, që drejtohej nga Janeva, e cila dha dorëheqje më herët gjatë kësaj jave. Zhbogar deklaroi se dorëheqja e Katica Janevës duhet të nxisë liderët politikë që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për statusin e Prokurorisë Speciale Publike. “Presim që të zgjidhet çështja e funksionimit të zyrës së Prokurorisë Speciale Publike. Me dorëheqjen prokurores Katica Janeva, bëhet trysni shtesë dhe përgjegjësi ndaj liderëve politikë dhe ndaj Kuvendit që të gjejnë zgjidhje”, ka theksuar ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Ndryshe, qytetarët dhe opinioni më i gjerë të gjitha shpresat për reformimit e drejtësisë në vend i kishin mbështetur në organin e PSP-së. Ndërkohë, shumica e fytyrave publike dhe personaliteteve të ndryshme pas zërave se shefja e PSP-së, Katica Janeva, është pjesë e shantazheve ndaj shumë afaristëve dhe të dyshuarve të kësaj prokurorie, haptazi kanë shprehur zhgënjimin dhe dëshpërimin për mbështetje që ia kanë dhënë më herët.

ZIBERI: PSP NUK TREGOI AS REZULTATE MINIMALE

Njohësi i çështjeve juridike, Naser Ziberi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Prokuroria Speciale publike nuk tregoi as rezultate minimale sa i përket goditjes së strukturave kriminale. “Ndoshta do të jetë mirë që zgjidhja e këtij problemi të bëhet në pako me Prokurorinë e Përgjithshme të vendit dhe të bëhet inkorporimi i këtij institucioni në kuadër të Prokurorisë së Përgjithshme sepse kredibiliteti i këtij institucioni dukshëm është dobësuar dhe qytetarët kanë humbur besimin se ky institucion do të arrijë të luftojë kriminalitetin në qarqe të larta”, thotë Ziberi. Ai thekson se Prokuroria Speciale do ta ketë shumë të vështirë që të rikthejë bisedimin e qytetarëve, veçanërisht sipas tij, nëse vazhdon të ketë këtë përbërje. “Këtij institucioni i duhen ndryshime rrënjësore kadrovike, por edhe përforcim të Gjykatës Speciale sepse Prokuroria Speciale pa një Gjykatë Speciale, mbetet vetëm dëshirë për të luftuar kriminalitetin në instanca të larta”, thotë Ziberi. (koha.mk)