Besimi i përkushtuar në universitet: “Nuk e kam në plan detyrën shtetërore”

Shkup, 16 korrik – Fatmir Besimi, ish-ministri i Ekonomisë, aktualisht i është përkushtuar profesionit akademik, konkretisht punës në universitet, ndërsa nuk e ka ndërmend të pranojë ndonjë detyrë shtetërore. I kontaktuar nga gazeta KOHA, Besimi thotë se prioritet i tij, ashtu sikurse edhe i shoqërisë në përgjithësi, mbetet anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian, dhe jo ndarja e resorëve kadrovik.

“Aktualisht, preokupimi im kryesor në jetën profesionale është angazhimi në sferën akademike, respektivisht puna në universitet, si dhe bashkëpunimi profesional me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Përndryshe, nuk kam asnjë angazhim në ndonjë post publik ose qeveritar dhe nuk e kam në plan. Lidhur me lajmin, i cili ka të bëjë me ndonjë funksion publik, vetëm mund të them që vlerësoj se në këtë moment – prioritet i shoqërisë sonë  është anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian, të cilat duhet të përcillen me reformat përkatëse për përforcimin e kredibilitetit të institucioneve dhe rritjes së investimeve, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve e jo spekulime lidhur me çështjet kadrovike”, thotë Besimi.

Ndryshe, ditë më parë, gazeta KOHA raportoi se në BDI nuk ka hequr dorë për emërimin e Besimit në postin e guvernatorit të BPMV-së, nëse Anita Angelovska Bezovska emërohet ministre e Financave. (koha.mk)