Shefi i Shtabit Zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Fatmir Besimi, sot me rastin e ditës së fundit të fushatës për zgjedhjet lokale të së dielës, pati konferencë shtypi. Sipas Besimit, më 15 tetor, qytetarët e Republikës së Maqedonisë, do të mund të zgjedhin opsionit bashkues dhe faktorizues të Bashkimit Demokratik për Integrim, opsionit me ofertë reale dhe pune që mund të bëhet, krahas ofertave joreale dhe pa program konkret.
“Ditën e diel, më 15 tetor, qytetarët e Republikës së Maqedonisë, do të kenë shansin historik që të tregojnë pjekurinë e tyre politike, duke mbështetur ofertën e vetme e cila garanton progres dhe mirëqenie sociale, ekonomike, arsimore e kulturore, duke mbështetur ofertën e cila garanton komuna të forta, të qëndrueshme dhe konkurruese në të gjitha planet”, tha Besimi. Shtabi Qendror Zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim, vlerëson se, me përjashtime të vogla, kjo ishte një nga fushatat zgjedhore më avancuese, më afirmative dhe më demokratike të zhvilluara deri më tani.
“Kandidatët tanë kanë pasur një fushatë shumë moderne dhe properëndimore, duke ia mundësuar çdo qytetari që të njihet drejtpërdrejtë me ofertën tonë konkrete dhe ambicioze. Na gëzon fakti që oferta jonë zgjoi interesim të madh në mesin e të gjithë qytetarëve, të cilët na ndoqën gjithkund, duke u interesuar për projektet e kandidatëve tanë, të cilat do të realizohen në partneritet pikërisht me qytetarët, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar”, ka potencuar ai.
Në plotësimin e programit të kandidatëve, tha se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt shumë qytetarë, të cilët gjatë takimeve të përditshme me kandidatët për kryetarë dhe këshilltarë komunal, kanë dhënë shumë ide dhe alternativa te reja interesante për zgjidhjen e shumë problemeve lokale. “Për këtë, më lejoni që në radhë të parë të falënderojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, pa dallim të përkatësive politike apo fetare, që me durim dhe maturi ndoqën performimin dinjitoz të kandidatëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, dhe kandidatëve të tjerë”, tha mes të tjerash Besimi.
Aktivistët e zellshëm të BDI-së, pa kursyer asgjë nga vetja e tyre, bënë të mundur që oferta politike të depërtojë tek shumica e qytetarëve. Kandidatët për kryetarë komune dhe këshilltarë komunal, në mënyrën më të qartë të mundshme dhe shumë konkrete, shpalosën vizionin dhe perspektivën europerëndimore të BDI-së, të udhëhequr nga lideri, Ali Ahmeti.
“Po ashtu, ju falënderojmë nga zemra të gjithë juve media dhe gazetarë të respektuar, që në mënyrë të shpejtë dhe korrekte informuat për të gjitha zhvillimet e kësaj fushate parazgjedhore, duke ua mundësuar qytetarëve që të bëjnë dallimin e ofertës më të mirë të mundshme. Urojmë që kjo atmosferë e qetë dhe demokratike të mbizotërojë edhe ditën e diel, më 15 tetor, kur presim një ditë feste për gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të cilët me votën e tyre do të zgjedhin në mënyrë të drejtpërdrejtë se kujt do t’ia besojnë menaxhimin e komunave të tyre në katër vitet e ardhshme”, tha Besimi në fund të fjalimit të tij para gazetarëve. Ai shprehu besimin se edhe kësaj radhe, qytetarët do të dinë të bëjnë vlerësimin e duhur, duke e rrethuar numrin 3.