I lindur në vitin 1986, Besim Ugzmajli është për momentin një nga personazhet më aktiv dhe më të kërkuar të momentit në kinematografinë shqiptare pasi është regjisor, skenarist e producent. Djaloshi kosovar që nuk din se çka është sfida pasi të njëjtat i tejkalon me punë, talent e me shkathtësi deri më tani ka realizuar disa projekte mjaft të suksesshme si Forgive me, The Path, Water and Graves, por për të mos ndaluar me kaq sepse projekti i fundit Rruga po jep rezultatet e punës së madhe dhe të palodhshme të tij dhe gjithë aktorëve. Në një intervistë ekskluzive për InfraRed të gazetës KOHA, Ugzmajli tregon shumë gjëra
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Filmi “Rruga” pritet të prezantohet edhe në shumë evente e festival anë e mbanë botës, na trego diçka rreth tij…
Filmi Rruga është njëri prej filmave të mi më të dashur. Ka qenë një proces shume i bukur realizimi, nga idea tek realizimi, me një kastë shumë të mirë aktorësh, siç është Gresa Pallaska, Mal Noa Safqiu, Mevlan Saraçi, Sherifi Bega e Milot Salihu. Filmi është në rrugëtimin e tij ne festivale të ndryshme të filmit në botë, nga festivalet e rëndësishme ne ato me pak të rëndësishme. Është shpërblyer në Springfield të Usa, dhe do të vazhdoj prezantimet e tij në vende të tjera të botës.
KOHA: Si mendon se u prit ky film nga publiku shqiptarë?
Kemi filluar me audiencë shqiptare në Kosovë, saktësisht në Dokufest. Kemi marrë shumë kritika pozitive, por edhe pikëpamje e analiza të tjera po aq të rëndësishme. Ka qenë interesant për publikun shqiptarë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni me e pa temën e trafikimit me qenie njerëzore në variantin se si e kemi trajtu ne.
KOHA: Besim, cila është pika jote më e fortë si regjisor?
Ndoshta këtë më mirë e dinë filmbërësit e tjerë, ose audienca që përcjell punët e mia, por unë përpiqem të investoj me së shumti në atmosferë të filmit, si sinkronizim të plotë me subjektin e ngjarjes. Pra, ndoshta kjo është më e mira që unë mund të i ofroj kinematografisë sonë.
KOHA: Çfarë mendon për arritjen shqiptare në Oskar me filmat shqiptarë?
Oskar sado qe duket afër herë pas here, përsëri nuk është afër. Fatkeqësisht është krijuar një obsesion tek filmbërësit shqiptar rreth Oskars. Mendoj se duhet të punojmë më shumë e më mirë në skenare, dhe të mos luftojmë dëshpërimisht për oskar. Ndoshta atëherë do ta fitojmë, atëherë kur nuk do ta kërkojmë me ngulm. Duhet të mendojmë në realizimin e filmave të mirë, kjo ka më së shumti rëndësi.
KOHA: Po sikur dhe filmi yt, të kishte mundësi të shkonte në Oskar?
Nuk do të ketë mundësi të shkoj.
KOHA: A pate vështirësi në realizimin e filmit apo tashmë kjo është diçka e zakonshme për ty?
Filmi gjithmonë është tejet i vështirë për të u realizuar, në këtë rast edhe filmi Rruga ka pasur vështirësitë e tij. Unë asnjëherë nuk jam mbështetur nga institucionet përkatëse që janë përgjegjëse për zhvillimin e kinematografisë, dhe kjo e vështirëson punën time, por sigurisht nuk e ndal dot, përkundrazi më ka ndihmuar të zhvilloj aftësitë e produksionit dhe organizimit ne përgjithësi.
KOHA: Në filmin tënd interpretojnë shumë aktorë të njohur, si i gjetët e si e bëtë përzgjedhjen?
Ka aktorë shumë në Kosovë që i besojmë punës së njëri tjetrit, prandaj kjo punë nuk është e vështirë për mua. Ne thjeshtë e gjejmë njëri tjetrin, me lehtësi. Edhe në këtë rast, më shumë lëhtësi kemi arritur të bashkëpunojmë shumë frytshëm e me shumë kënaqësi e proces të bukur krijues.
KOHA: Si është të punosh përkrah një aktorëve, a ke pasur rastin të kesh në projekte edhe aktorë të huaj?
Puna me aktorë, sado që të jep kënaqësi, nuk është e lehtë. Mirëpo unë kam parasysh profesionin e aktorëve, që është një profesion shumë i vështirë, prandaj mundohem të jem sa më i kujdesshme bashkëpunues. Kjo është mënyra e vetme për te sjellur në jetë idetë tona kinematografike, pra, përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe me dashuri në mes regjisorit dhe aktorëve, por edhe ekipit në përgjithësi.
KOHA: Ç’mendim ke për aktorët shqiptarë?
Kemi shumë aktorë të mirë. Fatkeqësisht, shkollat tona të aktrimit kanë program që studentët i koncentron më shumë kah teatri, e më pak kah filmi. Do të duhet të ishte shkollë minimalisht e balancuar në ketë drejtim, për shkak se aktorët e specializuar për teatër, shpeshherë kanë probleme të adaptohen në film. Mirëpo, përkundër kësaj, kemi shumë aktorë të mirë gjithandej.
KOHA: Mendon se do të ketë sukses ky film?
Varet se çfarë quajmë një film të suksesshëm, por mendoj se filmi Rruga, në aspektin e prezantimit ndërkombëtar, ka qenë mjaft i suksesshme, dhe vazhdon të prezantoj gjithandej.
KOHA: Cili nga filmat e tu mendon se është më i suksesshmi?
Sigurisht filmi FORGIVE ME.
KOHA: A mendon se ti po sjell diçka ndryshe në kinematografinë shqiptare me krijimtarinë tënde?
Edhe këtë më mirë mund ta dinë kritika e filmit ose audienca që përcjell punën time, por unë mundohem që të i sjellë kinematografisë tonë, sa më shumë tema origjinale, me një atmosferë sa më të besueshme.
KOHA: Cilët janë fjalët më të dashura për ty?
Më fal, faleminderit, paske shtuar peshë, a shihemi për drekë.
KOHA: Çfarë do të thotë për ty familje?
Familja është gjithçka. Askush dhe asgjë nuk mund ta përshkruaj ndjenjën që të jep familja.
KOHA: Beson te shpirti binjak?
Në filma kjo ndodh shpesh. Meqë e vërteta në art është shumëherë më e thellë se e vërteta në jetën reale nëse mundemi me thënë, atëherë shpirti binjak është dika i fshehur në interpretimet artistike dhe shpirtnore, por jo-reale.
KOHA: A mendon se aktorët edhe mund të dashurohen nëpër filma gjatë xhirimeve?
Mund të ndodhë, por unë nuk e bart këtë përgjegjësi, por i inkurajoj gjithmonë.
KOHA: Cili është hapi tjetër i yti, në regji?
Një shfaqje, pastaj një film, pastaj një skenar, dhe në hapësirën kohore mes këtyre të gjithave, ushqim të mirë, ujë e ndonjë copë dashuri.
KOHA: Në fund, do na thuash diçka vetë, pa të pyet?
Nuk jam shumë kreativ në përgjigjet që nuk kanë një pyetje interesante. Këtë mund ta them pa më pyetur.