Tetovë, 22 nëntor – Me prani të kryetares së Komunës , Teuta Arifi dhe të shumë artdashësve tetovarë, në mesin e të cilëve shumica profesorë e studentë, të mërkurën në mbrëmje, në sallën koncertale të Universitetit të Tetovës, u shfaq një koncert me artisten e njohur Besiana Mehmedi, e cila është kthyer aktivisht në skenën e muzikës klasike këtë vit. Është paraqitja e saj e pestë brenda dy muajve, por mbrëmë ndryshe nga radhët e kaluara, ka interpretuar perlat e muzikës klasike shqiptare përfshirë arie të Pjetër Gacit, Çesk Zadesë, Sami Pirajt, Feim Ibrahimit, Limoz Dizdarit. Mehmedi arriti që veprat shqiptare ti interpretojë me emocion të veçantë duke sjellë dhe teknikën e përsosur vokale që ajo e ka marrë gjatë viteve të shkollimit të saj në Prishtinë e Tiranë. Në përcjellje në piano ishte Shkëlzen Baftiari- pianist i përkryer i cili ishte mishëruar në interpretim me artisten Mehmedi. Mbrëmjen e begatuan dy pianiste nga Kosova: Pranvera Hoxha dhe Alba Muçolli- Dehiri, të cilat kryesisht sollën veprat e kompozitorit të ri nga Maqedonia Artan Hasanit si dhe vepra nga kompozitori i njohur shqiptar Simon Gjoni. Publiku tetovar pati mundësi të shijojë një mbrëmje të paharruar që dëshmon se Maqedonia dhe Kosova kanë artistë të pjekur skenikisht të cilët i duhen aktiviteteve tona ndërkaq Komuna e Tetovë jep shembullin më të mirë për të gjitha komuna tjera se si duhet përkrahur arti nacional shqiptar.