Shkup, 11 maj- Maqedoni po përballet me mungesë të motrave mjekësore. Në Evropë, normat parashohin mbi 600 motra në 100 mijë qytetarë, ndërsa në Maqedoni ka 350. Prandaj ikja e motrave nga vendi duhet të parandalohet përmes përmirësimit të kushteve për punë dhe rritjes së rrogave, porositën motrat mjekësore nga Akademia e sotme solemne që u mbajt në Shkup me rastin e Javës ndërkombëtare të infermierisë.
“Thirrja jonë nga akademia e sotme solemne është të ndalet ikja e motrave mjekësore nga vendi. Numrat në Maqedoni nuk korrespondojnë me standardet evropiane sepse ka 350 motra në 100 mijë banorë, ndërsa normat në Evropë janë mbi 600 motra mjekësore në 100 mijë banorë. Prandaj themi se Maqedonia po përballet me mungesë të motrave”, tha Gordana Beshliovska, koordinues e Unionit të shoqatave të motrave mjekësore.
Ndalimi i ikjes, sipas saj, është i mundur ashtu që do të përmirësohen kushtet për punë të motrave mjekësore, por edhe koeficientët e rritur për të ardhura personale.
Thotë se kjo duhet të gjendet edhe në strategjinë për shëndetësi, me qëllim që të tejkalohet deficiti i kuadrove në institucionet shëndetësore.
Unioni i Shoqatave të motrave mjekësore, i kryesuar nga Shoqata e motrave mjekësore, teknikëve, obstetrikëve dhe teknikëve të dhëmbëve “Për ne” organizon ngjarje – akademi solemne me rastin e Javës internacionale të infermiereve.