A është besëtytnia krejtësisht e padobishme? Shumë njerëz besojnë se numri 13 është i pafat ose se diçka e keqe do t’u ndodhë nëse macja e zezë ua pret rrugën. Sportistët gjithashtu kanë rituale të shumta përpara garave të rëndësishme, ndërsa disa prej tyre besojnë se nuk do të arrijnë rezultate të mira nëse i ndryshojnë ato.
Hulumtimet e fundit kanë treguar se 25% e amerikanëve kanë besëtytni. Psikologët që i studiojnë besëtytnitë thonë se ato vijnë nga supozimi se ekziston një lidhje midis ngjarjeve të përsëritura, transmeton Koha.net. Për shumë njerëz besëtytnia e jep një ndjenjë kontrolli dhe e redukton anksiozën.
Pikërisht për këtë arsye besëtytnia rritet kur rriten edhe stresi dhe shqetësimi. Kjo është veçanërisht e dukshme në kohë lufte dhe gjatë krizave ekonomike. Ajo mund t’i nxisë individët të ndërmarrin vendime joracionale si besimi në fat.
Ndonëse disa njerëzve besëtytnia u duket qesharake, tek të tjerët ajo ndikon në vendimmarrje dhe sjellje në botën e vërtetë.
Kur është fjala për sportet, besëtytnia ndihmon në reduktimin e tensionit dhe u jep sportistëve kontroll mbi faktorët e paparashikueshëm.
Basketbollisti i famshëm, Michael Jordan, nën bluzën e tij të Chicago Bullsave i kishte veshur pantallonat e tij të shkurtra “të fatit”. Teniseri Bjorn Bork thuhet se gjithmonë e kishte veshur të njëjtin brend të bluzave derisa po përgatitej për Wimbledon, përcjell Koha.net. Rafael Nadal e ka një mënyrë të veçantë për t’i radhitur shishet me ujë dhe rituale të tjera të shumta. Ai beson se ato e ndihmojnë atë të fokusohet më mirë.
Megjithatë, nëse këto rituale nuk respektohen për ndonjë arsye, psikologët thonë se tek disa persona mund të zhvillohet anksioza.
13% e njerëzve në një anketë thanë se do t’u pengonte nëse do të qëndronin në katin e 13-të të hotelit, ndërsa 9% e njerëzve do ta kërkonin një dhomë tjetër. Për këtë arsye disa kompani ajrore si Lufthansa dhe Air France nuk e kanë radhën e 13-të të ulëseve. Lufthansa nuk e ka as radhën e 17, sepse në disa vende si Italia dhe Brazili, numri i pafat është 17 dhe jo 13.