Shkup, 3 prill – I shoqëruar nga kreu lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasamii si dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, kandidati për president, prof. Blerim Reka, pasditen e djeshme ka vizituar fshatrat Çeflik, Patishka Reka, Batincë dhe Studeniçan. Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, gjatë tubimeve hapur potencoi se përkrahja e kandidaturës së prof. Rekes është sepse besojnë fuqishëm në konceptin e një shteti apo Republike për të gjithë.
“Kjo është rruga e vetme që do bëjë Maqedoninë e Veriut shtet me vlera evropiane. Maqedonasit duke votuar për prof. Blerim Rekën tani e kanë shansin të dëshmojnë se a janë të jemi shtet që do jetë i barabartë si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët. Ne u themi qartë se pa shqiptarë të barabartë në udhëheqjen e shtetit e ardhmja e Maqedonisë të Veriut do jetë e pasigurt”, u shpreh Kasami.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ndërkohë vlerësoi se kandidatura e prof. Blerim Rekës ka nderuar gjithë shqiptarët, pasi që me këtë, çdo shqiptari i ofrohet mundësia e përfaqësimit. “Nuk e kam fjalë për ata shqiptarë që nuk e ndjejnë veten shqiptarë, por për shqiptarët që janë lindur dhe rritur me nënë dhe babë shqiptar, që frymojnë shqip. Nëse doni të testoni ato parti shqiptare që janë në Qeveri se sa janë të sinqertë në atë që e bëjnë, i ftoni të vinë këtu para juve krah për krah me Stevon edhe le ti kërkojnë votat tuaja, por ata nuk mund të dalin para juve. Ata këtë e bëjnë vetëm për pushtet dhe futen në kategorinë e njëjtë me Amdi Bajramin”, tha Sela.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Reka theks të veçantë i kushtoi rëndësisë së daljes masive në votime, pavarësisht se cilës parti i takojnë qytetarët. Ai saktësoi se me votën tuaj, tregoni se nuk jemi 20 për qind anonim. “Të tjerët ofrojnë konsensualitet, që në shqip do të thotë ujdi, por për fat të keq, ata i japin përparësi ujdisë me fqinjin, ndërsa në rastin tonë bëhet fjalë për ujdi mes vëllezërve të një gjaku. Dy liderët e partive opozitare kanë bërë një besëlidhje që të përkrahin një kandidat shqiptar për president, dhe me këtë ata dëshmuan se janë për faktorizimin e votës shqiptare”, theksoi Reka.