Shkup, 13 janar – Ditëve të fundit opinioni u trondit nga humbja e jetës së dy fëmijëve nga gripi, njëri 3 vjeç nga Gostivari dhe tjetri 4 vjeç nga Kërçova. Ndërkohë, dy të burgosur në afat prej 24 orëve vdiqën pasi që ishin transferuar për trajtim mjekësor në Klinikat e Shkupit. Lëvizja BESA nëpërmjet një reagimi drejtuar mediave u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve dhe me këtë rast kërkon angazhimin e institucioneve për zbardhjen e rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësisë, kur kemi parasysh se institucionet shtetërore janë në gjumë lidhur me këto raste të dhembshme. “I dënojmë ashpër institucionet shtetërore, të cilat në vend si t’i kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësi më të lartë në shërbim të qytetarëve, ata nuk japin llogari publike për rastet e këtilla. Kur të vjen Lëvizja BESA në pushtet do të angazhohet maksimalisht që rastet e këtilla të parandalohen e të mos përsëriten më, që rezultojnë me pasoja fatale e të hidhura”, thuhet në komunikatën e BESËS.