Fatos RUSHITI
Shkup, 1 mars – Paralajmërimet e kryeministrit Zoran Zaev se në mars do të ndodh rikonstruim i Qeverisë, ka zgjuar ambiciet tek partitë shqiptare opozitare për të qenë pjesë e Qeverisë. Qoftë nga informata jozyrtare – qoftë nga prononcimet e funksionarëve partiak, gjithnjë e më shumë flitet se Lëvizja BESA është më afër se Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH si pjesë e ardhshme e Qeverisë, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, ka zëra se Lëvizja BESA – krahu i Afrim Gashit me tre deputetë mund të bëhet pjesë e Qeverisë dhe që do të përkrahet nga PDSH, derisa ky opsion mbështete nga një pjesë strukturave të larta edhe të BDI-së.
Por në partinë e Ali Ahmetit ka grup të fortë partiak përfshirë dhe funksionarë qeveritar që kundërshtojnë në çfarëdo forme PDSH-në në Qeveri dhe më shumë janë pro hyrjes së Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasamin. BDI duket se nuk do të përzihet direkt në zgjedhjen e partnerit qeveritar që me gjasë do të ndodh shumë shpejtë. Sipas disa burimeve parlamentare, Zaev i ka përsëritur kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se në Parlament i duhen më shumë vota që nuk është në gjendje t’ia sigurojë BDI. Thjesht, se kush do të jetë pjesë e Qeverisë, do të varet tërësisht nga vullneti i kryeministrit Zaev.
ZAEVI PRET GJYKATËN TË PRONONCOHET PËR BESËN
Gazeta KOHA merr vesh se LSDM dhe kryetari i saj po pret që të sqarohet çështja e legjitimitetit tek Lëvizja BESA që mbajti dy Kongrese e që prodhuan dy kryetarë, Bilall Kasami dhe Afrim Gashin dhe më pas – të vendosë për hyrjen eventuale të kësaj partie në Qeveri. Lidhur më këtë, në Lëvizjen BESA me kryetar Bilall Kasamin thonë se ata nuk kanë punë më gjykata përveç nëse krahu tjetër bën padi dhe më pas do ti sqarojë dokumentacionet rreth Kongresit të parë zgjedhor.
“Kryetari Bilall Kasami që është njëkohësisht dhe bartës ligjor për në institucionet shtetërore, do ti përcjellë mbajtjen e Kongresit dhe vendimet që dolën nga ai deri tek Gjykata. Në rrethana tjera, ne s’kemi punë në gjykatë, përveç nëse krahu tjetër bën padi dhe më pas ne do të sqaronim ecurinë e deritashme të ndryshimeve në Lëvizjen BESA”, thonë zyrtarë të lartë të kësaj partie. Sa i përket pozicionit politik rreth hyrjes së mundshme në Qeveri, këta zyrtarë thonë se linjat e drejtpërdrejta me kryeministrin Zaev nuk janë ndërprerë, por janë përforcuar pas Kongresit dhe se do të jenë atë bashkë më Aleancën për Shqiptarët që kanë më shumë gjasa të jenë pjesë e Qeverisë.
“Linjat me kryeministrin Zoran Zaev nuk i kemi ndërprerë, përkundrazi – pas Kongresit vetëm se janë forcuar edhe më shumë dhe me shumë gjasa do të zgjerohet Qeveria dhe ne do të jemi bashkë me Aleancën pjesë e saj. Thjeshtë, për këtë nuk vendos asnjë partner tjetër qeveritar, por varet më shumë tek vullneti i kryeministrit, i cili do partner serioz dhe kredibil dhe nuk do partner shtesë problematik”, thonë për gazetën KOHA zyrtarë të lartë partiak nga BESA e Kasamit.
Të gatshme për të qenë pjese e Qeverisë deklarohen edhe nga Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin. Orhan Murtezani, zëdhënës kësaj partie, flet për ndihmën që i ka dhënë deri më tani Lëvizja BESA Qeverise së Zaevit edhe atë – siç thotë ai, pa asnjë kusht. Në këtë kontekst, thotë Murtezani, nuk përjashtojnë që të bëhen pjesë e Qeverisë.
“Ne edhe në fillim kur u formua Qeveria, kemi qenë të gatshëm të ndihmojmë dhe ky përkushtim nuk na ka munguar asnjëherë. Në këtë frymë, pa asnjë kusht e kemi ndihmuar shpesh shumicën parlamentare dhe nuk hezitojmë ta bëjmë këtë edhe sot. Natyrisht, këtë bashkëpunim dhe ndihmë gjithnjë e kemi nënkuptuar si bashkëpunim mbi parime dhe detyrime të ndërsjella. Kjo, në fakt, vlen edhe tash. Nëse na ofrohet një gjë e tillë, ne nuk i ikim komunikimit. Do të bisedojmë, do të flasim dhe, nëse gjendet gjuhë e përbashkët, nuk përjashtohet mundësia edhe të bëhemi pjesë e Qeverisë. Aq më shumë që konteksti i ri me çështjen e emrit dhe anëtarësimin në NATO për ne është një angazhim i gjithmbarshëm shtetëror e shoqëror dhe në këtë pikë jemi të gatshëm të ndihmojmë pa asnjë rezervë, qoftë në opozitë, po pse jo edhe duke qenë drejtpërdrejt pjesë proceseve në ekzekutiv”, thotë për KOHA, Murtezani. Nëse vjen momenti që të nisin bisedimet për të hyrë në Qeveri, ai shprehet se do të zhvillohen vetëm në mes partisë së Gashit dhe kryeministrit. Ndërsa sa i përket asaj se me kë tjetër kryeministri i zhvillon negociata, Murtezani thotë se është çështje e tij.
“Kryetari Afrim Gashi disa herë e ka përsëritur qëndrimin që në rast se vjen deri te fillimi i bisedimeve për përfshirje në Qeveri, të njëjtat do të zhvillohen ndërmjet nesh si Lëvizje BESA dhe kryeministrit. Ndërsa sa i takon asaj se me kë tjetër kryeministri mund të zhvillojë negociata, ajo është çështje e tij”, thotë Murtezani.
PDSH HESHTË, RDK-SË I MERRE MINISTRIA
Nga PDSH, edhe përkundër premtimit që do të japin qëndrim rreth hyrjes në Qeveri, nuk ishin në disponim të prononcohen edhe përkundër insistimit disa ditësh të gazetës KOHA. Përveç faktit se kush do të jetë partner i ri qeveritar, po kështu me interes po priten dhe ndryshime në kabinetin qeveritar. Burime të afërta me partitë qeveritare thonë se RDK-së do ti merret Ministria e Pushtetit Lokal meqë kjo parti së fundmi mori postin e nënkryetarit të Parlamentit.
Kjo ministri me gjasë do ti takojë partnerëve të rinj qeveritar, por nuk përjashtohet as mundësia që ta marrë BDI meqë më herët ka udhëhequr me këtë dikaster dhe se interesi është politik që kjo parti të hap pikën e re kufitare me Kosovën në aksin e ri rrugor Stanqiq- Bellanoc. Në opinion këto ditë ka zëra se nga BDI do të ndërrohen ministri i Drejtësisë dhe ai Ekonomisë, por që ende për këtë të fundit nuk ka ndonjë vendim partiak. BDI lakmon dy ministri tjera – atë të Transportit dhe Lidhjeve dhe të Arsimit, me të cilat ka udhëhequr gjatë përbërjeve të kaluara qeveritare me VMRO-në. Dikastere tjera që mund të ketë ndryshime janë dhe Puna dhe Politika Sociale, si dhe Ministria e Kulturës. Në LSDM thonë se ende është herët për të folur se cilat dikastere do të pësojnë ndryshime në emra ministrash, por se nuk priten ndryshime të mëdha nga ministritë që drejton LSDM.
“Tani për tani është herët të flasim për ndryshime në Qeveri, se kush do të hyj do të dihet kur do të ketë bisedime konkrete. Tek resorët tanë nuk ka disponim në parti që të këtë ndryshime të mëdha për faktin se shumica kanë nisur reformat substanciale, si në arsim, shëndetësi, apo tek mirëqenia sociale”, thonë zyrtar partiak nga LSDM. (koha.mk)