Fatos RUSHITI
Shkup, 11 janar – Në lëvizjen BESA vazhdon lufta për pushtet partiak. Të dyja grupet – ai i Bilall Kasamit dhe ai i Nexhmedin Kahremanit pretendojnë se kanë të drejtë në veprimet e tyre, duke lajmëruar mbajtjen e Kongresit zgjedhor. Nga qëndrimet e të dyja palëve shihet se ka pak gjasa për pajtim dhe me gjasë, duket që do të ketë dy kongrese paralele, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë, do të ketë rëndësi se si do të vendosë Gjykata meqë grupi i Nexhemedin Kahremanit njoftojnë se shumë shpejtë do të ndjekin procedurat gjyqësore me pretendimin se kanë shumicën në Këshillin Qendror.
Se kanë shumicën në Këshillin Qendror pretendojë edhe nga grupi i Bilall Kasamit dhe sipas asaj që thonë nga ky grup, mezi presin se çfarë do të vendosë Gjykata, duke qenë të sigurt se legjitimiteti qëndron në anën e tyre. Orhan Murtezani, ish-zëdhënës i partisë dhe pjesëmarrës në mbledhje kur u shkarkua Bilall Kasami, në një prononcim për gazetën KOHA thotë se shumë shpejtë do të fillojnë me procedurat gjyqësore për të vërtetuar, siç thotë ai, zgjedhjen e Nexhmedin Kahremanit për ushtrues detyre i kryetarit të përkohshëm të kësaj partie deri në Kongres.
“Këto ditë do të fillojmë me zgjedhjet e brendshme në parti deri në mbajtjen e Kongresit të parë zgjedhor. Paraprakisht do të dërgojmë deri në gjykatë vendimet e fundit të Këshillit qendror për zgjedhjen e Nexhmedin Kahremanit për koordinator të përkohshëm të Lëvizjes BESA deri në Kongres, si dhe vendimin për shkarkimin e Bilall Kasamit”, thotë Murtezani. Nëse ka hapësirë dhe nëse po punohet për pajtim të dy grupeve, Murtezani thotë se pajtimi do të vinte në shprehje nëse Kasami reflekton mbi vendimin e Këshillit që e ka shkarkuar. Sipas tij, jo vetëm Kasamit, por askujt nga BESA që ka ide dhe program – nuk i mohohet kandidatura për kryetar.
MURTEZANI: SHKARKIMI I KASAMIT, PUNË E KRYER
“Ai organ, pra Këshill që e ka zgjedhor para tre viteve, po i njëjti e ka shkarkuar Bilall Kasamin me shumicë votash. Këtë nuk kemi për çfarë ta diskutojmë kur vendos shumica në parti. Tjetër do të ishte nëse Bilall Kasami reflekton mbi vendimet e organit të lartë partiak dhe të pranojë shkarkimin, atëherë pse jo – do të hapej mundësia për pajtim. Sa i përket kandidatëve për kryetar, askujt në Lëvizjen BESA e as Bilall Kasamit nuk i mohohet kandidimi, por së pari duhet të respektohen vendimet e shumicës së anëtarëve të Këshillit”, thekson Murtezani.
Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë nga Lëvizja BESA në grupin e Bilall Kasamit thonë se e vetmja mbledhje legjitime e Këshillit qendror është ajo e mbajtur më 6 janar në Tetovë. “Çdo mbledhje tjetër e Këshillit Qendror përveç asaj që është mbajtur në Tetovë më 6 janar, është jolegjitime. Në atë mbledhje u vendos që Bilall Kasami të mbetet kryetar deri në Kongres, më pastaj do të vendos Kongresi më shumicën e anëtarëve për kryetarin e ri”, tha njëri nga zyrtarët e Lëvizjes BESA. Siç thotë ky zyrtar, që insistoi në anonimitet, Komisioni për organizmin e Kongresit ka filluar punë, ndërsa sipas tij, individët që nuk do vijnë në Kongres – do të llogariten si të vetpërjashtuar. Por në fund, sipas tij, se kush ka të drejtë – atë do ta thotë Gjykata.
“Ata që kanë mbajtur mbledhje tjetër janë individë që kanë thyer rregullat partiake. Komisioni për organizmin e Kongresit është zgjedhur dhe ka filluar përgatitjet në strukturat partiake për zgjedhjen delegatëve për Kongres. Ata individë që nuk do të vijnë në Kongres, ata dhe vetpërjashtohen – askush askënd s’do ta përjashtojë deri në Kongres. Se kush ka të drejtë, do ta thotë Gjykata. Edhe vetë Nexhmedin Kahremani e tha sot se do të vendosë Gjykata, pra le të vendosë Gjykata dhe të shohim se kush ka të drejtë”, thonë zyrtarë të lartë të Lëvizjes BESA nga grupi i Bilall Kasamit. Në lidhje me grupin parlamentar se si do të funksionojë më tutje, Orhan Murtezani thotë se tre nga pesë deputetët e pranojnë shkarkimin e Kasamit dhe zgjedhjen e Nexhmedin Kahremanit për ushtrues detyre të kryetarit. Sipas tij, grupi parlamentar edhe më tutje do të funksionojë i plotë si grup i Lëvizjes BESA.
“Grupi parlamentar nuk mund të jetë i përçarë, sepse dikush nga grupi duhet të deklarohet se nuk është BESA që të prishet grupi. Por, e vërteta është se për deputetët e BESËS – Afrim Gashi, Rexhep Memedi dhe Nexhmedin Kahremani, Bilall Kasami është i shkarkuar nga detyra e kryetarit dhe u.d.kryetar është Nexhmedin Kahremani. Grupi parlamentar edhe më tutje do të jetë i plotë si grup i Lëvizjes BESA”, shprehet Murtezani. Në lidhje me grupin parlamentar, edhe deputeti Fadil Zendeli thotë se pavarësisht ndodhive në parti, në Parlament do të funksionojë i plotë. Ai paralajmëroi se lidhur më këtë çështje do të dalin me deklaratë të përbashkët për media.
“Pavarësisht ndodhive në parti, kjo nuk do të ndikojë në përçarjen e grupit parlamentar. Ne do të funksionojmë si grup parlamentar i Lëvizjes BESA edhe më tej. Ndoshta do të dalim edhe me deklaratë të përbashkët për media lidhur më këtë çështje”, theksoi për gazetën KOHA deputeti Fadil Zendeli. Ndryshe, ish-zëdhënësi partiak, Orhan Murtezani, ishte ai që më 5 janar – në praninë e shumë anëtarëve të kryesisë së Lëvizjes BESA në një Konferencë për shtyp kumtoi shkarkimin e Bilall Kasamit dhe zgjedhjen e Nexhmedin Kahremanit për ushtrues detyre të kryetarit të Lëvizjes BESA deri në mbajtjen Kongresit zgjedhor më 24 shkurt të këtij viti. Sa i përket anës juridike, organet e Lëvizjes BESA janë të përkohshme dhe ende kjo parti nuk ka mbajtur Kongres zgjedhor dhe nuk ka kryetar me mandat të rregullt politik. Edhe vetë funksionarët nga të dyja kampet e pranojnë në biseda joformale se Bilall Kasami është zgjedhur koordinator i përkohshëm – pra juridikisht quhet edhe Nexhemedin Kahremani koordinator i përkohshëm, por që luan rolin e kryetarit të partisë deri në zgjedhjen e organeve të rregullta.
Nëse i referohemi Statutit të Lëvizjes BESA, kryetarin e partisë e zgjedh dhe e shkarkon Kongresi i partisë. Në nenin 39, pika 9 thuhet: “vendos për shkarkimin e Kryetarit të Lëvizjes mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga 2/3 e anëtarëve të Kongresit”. Por, meqë në mungesë të Kongresit organi më i lartë është Këshilli në këtë rast i përkohshëm, sipas anëtarëve të grupit të Nexhmedin Kahremanit, Këshilli ashtu siç e ka zgjedhur Bilall Kasamin ashtu dhe e ka shkarkuar. Ata thirren në nenin 14 për përjashtimin e anëtarëve të partisë kur thyejnë rregullat dhe nuk i përfillin vendimet e organeve partiake. Në këtë rast, sipas grupit të Kahremanit, Kasami nuk ka thirrur mbledhje të Këshillit edhe pas kërkesë së shumicës së anëtarëve të këtij organi.
Në këtë drejtim ka folur edhe anëtari i Kryesisë qendrore, Skëndër Rexhepi-Zejd. “Ne jo vetëm nga 1/3, por kemi mbledhur nënshkrime nga 58 anëtarë që i bie të jetë shumica e anëtarëve të Këshillit qendror dhe ai (kryetari) përsëri e ka anashkaluar këtë vendim dhe nuk e ka thirrur mbledhjen, dhe me automatizëm ne nuk kemi bërë asnjë shkelje. Çdo ftesë për nënshkrim që ua kemi dhënë anëtarëve ka qenë me të drejtën e tyre të nënshkruajnë dhe ta lexojnë letrën se për çfarë po nënshkruajnë. Ne kemi thirrur mbledhjen dhe në atë mbledhje kanë ardhur mbi 60 anëtarë të Këshillit qendror, që do të thotë se shumica e anëtarëve kanë qenë prezent”, ka deklaruar Skënder Rezhepi-Zejd.
TË DREJTAT E KËSHILLIT QENDROR
Ndërkaq nga grupi i Kasamit thonë se Këshilli Qendror nuk ka të drejtë të shkarkojë kryetarin e partisë qoftë edhe me mandat të përkohshëm. Njëjtë si Bilall kasami, ashtu edhe Nexhmedin Kahremani është zgjedhur nga Këshilli Qendror si organi më i lartë partiak pas Kongresit, meqë Kongres zgjedhur nuk ka pasur që kur u themelua kjo parti para tre viteve. Mbetet të shihet se si do të vendosë Gjykata nëse nuk ka pajtim nga dy grupet dhe nëse do të ketë dy Kongrese paralele zgjedhore. Sa i përket gjendjes faktike, juristët thonë se ka rëndësi si do të veprojë shumica e strukturave, sidomos Këshilli qendror dhe Kryesia qendrore që kanë përgjegjësi për organizimin e Kongresit, pra nga cili grupi do të shkojnë në Kongres. Shumë figura tjera të Lëvizjes BESA ende rrinë neutral si kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu apo anëtari i kryesisë, Amir Elezi, që ishte kandidat për Komunën e Tearcës në zgjedhjet lokale. Megjithatë, ka zëra se do të ketë pajtim të të dyja grupeve ditëve në vijim. Sipas burimeve tjera partiake, të dyja grupet nëse nuk bëjnë asgjë për pajtim – do të dëmtojnë partinë në besimin e qytetarëve. Edhe Bilall Kasami i ftuar në TV21 mbrëmjen e së martës bëri thirrje për bashkim duke insistuar vazhdimisht se Lëvizja BESA nuk do të përçahet. Po atë ditë, ai kishte një takim me kryeministrin Zoran Zaev me fokus mbështetjen e Qeverisë në agjendën e saj për reforma, por që nuk e përjashtoi mundësinë për hyrjen e BESËS në Qeveri. (koha.mk)