Shkup, 26 janar – Në raportin e publikuar dje nga Transparency International mbi indeksin e korrupsionit, edhe një herë vërtetohet tendenca në rritje e korrupsionit në vendin tonë. Rezultati mesatar global në bazë të këtij raporti është me indeks prej 43, gjë që tregon korrupsion të lartë në sektorin publik të një vendi. Kështu thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA, sipas të cilës, Maqedonia është edhe më keq, gjegjësisht me indeks 37 – ajo radhitet e 90-ta në listë nga 176 vende të tjera të botës. Me këtë shkallë të lartë të korrupsionit Maqedonia radhitet në një grup me vendet e kontinentit të Afrikës dhe Amerikës Jugore. “Kështu edhe një herë po dëshmohet se mungon vullneti për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe akoma përballemi me ndërhyrje politike në gjyqësor dhe ndërhyrje të pajustifikuara në operacionet dhe proceset vendimmarrëse ditore të anti-korrupsionit dhe organeve gjyqësore. Po ashtu vlen të përmendet edhe fakti i hidhur se mediat dhe sektori civil vazhdojnë t’i vuajnë nga presionet e drejtpërdrejta, vazhdon trendi i keqpërdorimit të pushtetit ose i partive politike për financim të mediave pro-qeveritare, si dhe përdorim i inspektimeve tatimore për hakmarrje politike. Një fakt tjetër shqetësues sipas këtij raporti është se rritja e korrupsionit dhe populizmi ose patriotizmi i rrejshëm, fenomen ky shumë prezent në shoqërinë tonë, janë të lidhura shumë ngushtë dhe janë në korrelacion me njëra-tjetrën. Lëvizja BESA angazhohet për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet gjyqësorit, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë për Krimin e Organizuar. Ne jemi thellë të bindur se eliminimi i kapjes, departizimi dhe demokratizimi i shoqërisë janë parakushte elementare për një të ardhme evropiane të vendit”, thuhet në reagimin e BESËS.