Deputetët e krahut të “BESËS” të Bilall Kasamit kërkojnë përgjegjësi prej institucioneve kompetente për arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në Hungari. Ata kërkojnë edhe përgjigje nëse ai me të vërtetë është arratisur ose i është lejuar të shkojë.
“Kjo është çështje shumë e rëndësishme për institucionet në shtet të cilat për fat të keq dështuan në një moment të rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë për qytetar të thjeshtë i cili ka problem me ligjin, por për ish-kryeministrin për të cilin këtu në Kuvend pati madje procedurë për marrjen e mandatit dhe njeri i cili e udhëhoqi shtetin për 11 vjet”, tha deputeti Fadil Zendeli.
Ai vlerëson se institucionet e sistemit kanë dështuar dhe në vend se të kujdesen që Gruevski sot të jetë në vuajtjen e dënimit me burg ai është në Hungari prej ku kërkon azil politik.
“Kjo është e palejueshme dhe prandaj si parti politike dhe deputetë do të kërkojmë prej organeve të shtetit dhe institucioneve kompetente që të marrin përgjegjësinë për atë që Gruevski nuk është në Shutkë, por në Budapest”, tha Zendeli.
Gruevski u arratis në Hungari prej ku ka kërkuar azil politik. Informacionin për largimin në Hungari ai e kumtoi në “Fejsbuk”, ndërsa më vonë u konfirmua edhe nga MPB. Gruevski të premten duhej të paraqitet për vuajtjen e dënimit me burg prej dy vitesh për rastin “Tanku”. Pas tij është shpallur fletarrestim ndërkombëtar.