Kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami sot ka shprehur ngushëllime për vdekjen e senatorit amerikan Xhon Mekejn.
“Me hidhërim të thellë mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të senatorit amerikan Xhon Mekejn, një njeri vizionar dhe përplot energji pozitive për të bërë ndryshime të mëdha në botë për ta kujtuar e gjithë historia botërore. I ndjeri Mekejn çmohet lartë për kontributin e lartë që i ka dhënë politikës amerikane për të vetmen arsye; për të forcuar demokracinë dhe për t’i luftuar padrejtësitë në mbarë botën”, thuhet në telegram ngushëllimin.
Xhon Mekejn, shtohet në telegram ngushëllimin, është njohur si mik shumë i ngushtë i shqiptarëve, duke qenë edhe zëri më i fuqishëm për mbrojtjen e çështjes shqiptare e në veçanti kontributi i tij ka qenë në çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj.
“Veprimtaria politike e senatorit Mekejn do të mbahet mend gjithmonë nga të gjithë, si një veprimtar i urtë i mençur, duke mos kursyer asnjëherë të thoshte atë që mendon. Në emrin tim personal dhe të gjithë anëtarëve të Lëvizjes Besa i shpreh ngushëllimet e thella familjes së senatorit Mekejn dhe gjithë popullit amerikan për humbjen e një njeriu kaq të madhe”, thuhet në telegram ngushëllimin nga lideri i BESA-s.