Qerim LITA
Gjatë viteve tridhjeta të shekullit të kaluar, në trevat shqiptare nën sundimin e mbretërisë jugosllave, filloi një Lëvizje Kombëtare. Kjo lëvizje u iniciua nga studentët shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit, të cilët në mars të vitit 1935, në Beograd themeluan Organizatën studentore atdhetare “Besa”. Veprimtaria e saj së shpejti u përhap në mbarë trojet e okupuara shqiptare. Nismëtarët e themelimit të saj ishin: Tahir Ismaili, Jahja Osmani nga Mateçi i Kumanovës, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdulla Saqipi nga Presheva, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Shaip Kamberi nga Tetova, Esat Berisha nga Gjilani, Qazim Bllaca nga Bllaca e Malishevës, Ibraim Lutviu nga Prizreni etj. Të gjithë ishin studentë në Universitetin e Beogradit. Parimet kryesore të “BESËS” ishin: Veprimtaria themelore në zgjimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët, nën sundimin e mbretërisë jugosllave; Bashkëpunimi politik me popujt tjerë të robëruar apo të pakënaqur nga regjimi i mbretërisë jugosllave; Fshehtësia e domosdoshme dhe veprimtaria gojore; Betimi i detyrueshëm para flamurit dhe asnjë dokument i shkruar për veprimtarinë e organizatës”.
Siç vërehet, qëllimi i organizatës ishte përhapja e vetëdijes nacionale, agjitimi nëpër krahinat shqiptare kundër pushtuesit të mbretërisë jugosllave, për masat antishqiptare e gjenocidiale që ndërmerreshin kundër shqiptarëve. Synimi i saj kryesor ishte: “Ribashkimi i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore (dhe të gjitha viset tjera të banuara me shqiptarë) me Shqipërinë.” Është e një rëndësie të vihet në dukje se, brenda udhëheqësisë së organizatës, ekzistonin dy krahë politikë: krahu i djathtë, që refuzonte çfarëdolloj bashkëpunimi me studentët serbë, pa marrë parasysh ideologjinë e tyre dhe krahu i majtë, i cili për dallim nga të parët, konsideronte se një bashkëpunim me studentët serbë me ideologji komuniste është e domosdoshme. Krahut të parë i prinin, Shaip Kamberi, i cili në mbledhjen konstituive të “Besës”, u zgjodh sekretar i organizatës, Ibraim Lutviu, Sokol Dobroshi, Esat Berisha, këta janë intelektual të shkollës së Shaip Kamberit, Tahir Ismaili, Imer Rasimi etj. Krahun e majtë e përfaqësonin kryetari i organizatës Abdulla Saqipi, Shaip Mustafa, Jahja Osmani, Xhevdet Pallaska etj.
Me qëllim të realizimit të programit të saj, krerët e “Besës” së shpejti u lidhën me legatën e Shqipërisë në Beograd. Kontribut të çmueshëm dhanë dy diplomatët shqiptarë: Rauf Fiço dhe Sheremet Xhuxhuli, të cilët do të mbajnë disa takime me anëtarët e organizatës në lagjen e Koshutnjak të Beogradit. Takimi i parë formal i anëtarëve të organizatës me Legatën e Shqipërisë u mbajt menjëherë pas themelimit të saj, në mars të vitit 1935, kur Rauf Fiço u takua me kryetarin e “Besës” Abdulla Sakipin dhe Rasim Imerin, në selinë e Legatës shqiptare. Në fakt, Rauf Fiço, si Ministër fuqiplotë i Legatës shqiptare në Beograd, mbante lidhje me studentët shqiptar edhe para themelimit të “BESËS”, sidomos me Rasim Imerin, Sokol Dobroshin etj.
Veprimtaria e “Besës”, së shpejti u shtri në disa qendra të mëdha shqiptare, sidomos në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Dibër, Preshevë, Gjilan. Kontribut të çmueshëm për veprimtarinë e saj të këtushme do të japin përfaqësuesit e konsullatës shqiptare në Shkup: Rexhep Stablea dhe Akshi Sulejmani. Këta dy përfaqësues të saj, gjatë viteve 1935-1939, kishin kontakte të fshehta me disa veprimtarë të kauzës shqiptare të këtij qyteti si: Hasan Shukriun, Fetah Mehmetin, Nevzat Maksut Rexhepin, Gani Selimin etj. Takimet zakonisht mbaheshin në “Bojali Han”, që më vonë ky lokal do të kthehet në qendër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kundër politikës hegjemoniste serbe. Rexhep Stabla, ishte tepër i interesuar për gjendjen e shqiptarëve nën sundimin e atëhershëm serb, prandaj ai me qëllim të informimit sa më të shpejtë, krijoi një rrjetë të gjerë të bashkëpunëtorëve në disa qendra shqiptare, në mesin e të cilëve shqueshin: Idriz Cërcëri nga Tetova, Shaban Efendiu nga Kumanova, Gani Selimi nga Shkupi, Tefik Aruçi nga Gostivari, Nevzat Maksuti nga Shkupi etj. Nga këta atdhetarë ai informohej për “situatën politike në Shkup dhe në Kosovë, për konfiskimin e pronës të shqiptarëve nga pushteti serb, për arrestimet, përndjekjet etj..” Në anën tjetër, Rexhepi, nëpërmjet këtyre veprimtarëve të “Besës”: “shpërndante ndihma për organizatën “Besa” si dhe “zgjeronte fushatë” me karakter kombëtar, me qëllim të vetëdijesimit të popullsisë shqiptare. Për çështje sigurie, lidhjet e këtyre veprimtarëve me Rexhepin, fillimisht mbaheshin nëpërmjet Akshi Sulejmanit, ndërsa nga viti 1937, kur ky diplomat tërhiqet në Shqipëri, lidhjet i mbanë Nevzat Maksuti.
Ndër aktivitetet që u ndërmorën nga organizata “Besa”, ishte edhe hapja e shkollave shqipe, të cilat do të punonin ilegalisht, edhe atë nëpër mejtepet e xhamive, shtëpive private etj. Hapja e këtyre shkollave nga ana e aktivistëve të “Besës”, mbështetej në MARRËVESHJEN e San Zhermenit, që të njëjtën qeveria Serbo-Kroate-Sllovene, me 10 shtator 1919 e kishte nënshkruar. Marrëveshja e San Zhermenit parashihte disa të drejta që duhej t’i gëzonin pakicat nacionale. Neni 7 i saj parashihte këto të drejta për pakicat nacionale:
“Barazia e plotë (për pakicat në tërësi), të gëzojnë të drejtat qytetare dhe politike, posaçërisht sa i përket përfshirja në administratën shtetërore, në pozitë dhe në nderë.
Kurrfarë pengese nuk do të bëhet sa i përket përdorimit të gjuhës amtare në mësim, shtypin ose botime të çfarë do lloji qofshin ato.”
Edhe nenet tjera parashihnin një sërë të drejtash, që pushtetarët e Mbretërisë jugosllave nuk i zbatonin, si për shembull nenet 8 dhe 9 ku thuhej:
“Neni 8: Ato (pakica) do të kenë të drejtë të themelojnë, udhëheqin dhe kontrollojnë institucionet mirëbërëse fetare ose shoqërore, shkolla dhe institucione tjera edukative me të drejtë që lirisht të përdorë gjuhën amtare dhe përdorimi i lirë i fesë.
Neni 9: Për vendet ku banon numri më i madh i pakicës nacionale qeveria do t’u lejojë atyre që në shkollat e pakicave mësimi të zhvillohet në gjuhën amtare për fëmijët e këtyre shtetasve.”
Këto të drejta, që u garantoheshin “pakicave nacionale”, nuk patën mundësi t`i shfrytëzojnë mbi 800 000 shqiptarë, që ishin nën sundimin mbretërisë jugosllave. Autoritetet e Beogradit, përkundër faktit se e kishin nënshkruar Marrëveshjen asnjëherë nuk e zbatuan atë në praktikë. Përkundrazi, ata përdorën një sërë masash antiligjore, nëpër krahinat e banuara me shqiptarë, disa prej të cilave po i paraqesim më poshtë:
Në krahinat shqiptare në Mbretërinë e Jugosllavisë u vendosën nëpër komuna pllakate ku ndalohej të flitet gjuhë tjetër përveç asaj serbe. Asnjë gazetë, revistë dhe botime tjera në gjuhën shqipe nuk paraqitej në mesin e 800 000 shqiptarëve në Jugosllavi përkundër asaj që qeveria e kësaj mbretërie vinte në dukje se ligji nuk e ndalon veprimtarinë intelektuale. Një hap i tillë në Kumanovë e ndërmori Shaban Efendiu, i cili në shtëpinë e tij hapi një shkollë ilegale me mësim në gjuhën shqipe, ku mësimin do ta zhvillojnë këta nxënës: Nehat Veseli, Abdulla Osmani, Nijazi Osmani, Ramiz Shaqiri, Izet Arifi, Xhavit Ademi etj. Krahas mësim-leximit, këta nxënës do të pajisen edhe me literaturë tjetër kombëtare, të cilën Shaban Efendiu furnizohej nga konsullata shqiptare në Shkup. Shkolla të tilla u hapën edhe në qendra tjera shqiptare si në Shkup, Preshevë, Gjilan, Tetovë etj. Në Dibër ky aksion u ndërmor nga Osman Rusi, Adem Çupi, Fadil Varalama, Shahin Pasholli etj. Ata në verën e vitit 1938patën një takim me Zuhdi Kajanakun (profesor i Normales së Elbasanit, i cili në atë kohë për disa ditë qëndroi si vizitor në Dibër). Burimet e xhandarmërisë së Mbretërisë jugosllave pohojnë se profesor Zuhdiu kishte kërkuar nga bashkëbiseduesit e tij, të fillojnë një fushatë me popullsinë shqiptare, për hapjen e shkollës shqipe në qytetin e Dibrës. Së shpejti, grupit të lartpërmendur ju bashkëngjiten edhe: Xhep Selimi, Izet Marku nga Bumova, Gugush Riza Mehmeti si dhe dy djemtë e Osmanit, Nijazi dhe Lutfi Rusi. Që kjo ide të fillojë të realizohet sa më parë, krahas kuadrit arsimor nevojitej edhe sigurimi i teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Për këtë qëllim ata lidhen me Kadri Xhekën nga Viçishti, i cili merr për sipër që nga Tirana të sjell një sasi të konsiderueshme të abetareve shqipe. Përderisa bëheshin përgatitjet e para për realizimin e kësaj ideje sa kombëtare po aq edhe të guximshme, nëpërmjet disa individëve të papërgjegjshëm, njoftohen autoritetet policor-ushtarake serbe, të cilët në fillim të muajt mars 1939, ndërmorën një aksion të rreptë. Në raportin e 10 marsit, komanda e xhandarmërisë në Dibër e njoftonte komandën e xhandarmërisë së Vardarit, se: “me 7 mars pushteti policor në Dibër bëri bastisje të befasishme në shtëpitë e Osman Rusit, Adem Çupit, Fadil Varalamës, Shahin Pashollit nga Dibra” dhe me këtë rast në “banesën e Osman Rusit u gjetën 77 abetare të reja me prejardhje shqiptare dhe seria e botimit të vitit 1938, në Shqipëri, të paraparë për qëllime propaganduese.” Më tej në raport thuhej se, në faqen e parë të abetareve qëndron: “fotografia e Mbretit Zog” ndërsa: “në faqen e fundit himni kombëtar.” Sipas raportit, pas gjithë kësaj veprimtarie qëndron Osman Rusi, i cili në Shqipëri ka dy vëllezërit e gruas, edhe atë: “Menduhu në Tiranë është arkëtar në komandën e xhandarmërisë, ndërsa Hyseni është nënprefekt i Ostrenit”. Raporti bënte të ditur se: “Hyseni ka një djalë me emrin Zudi i cili është profesor në Elbasan:” dhe se “Profesor Zudiu, vitin e kaluar gjatë pushimeve shkollore qëndroi rreth 5 ditë në Dibër në vizitë te Osman Rusi”. Disa ditë më pas, përkatësisht me 18 mars 1939, komanda e xhandarmërisë së Ohrit, në raportin me numër 266, i shkruante komandantit të Armatës III-të në Shkup, se gjatë bastisjes së sipërpërmendur në Dibër, patrulla e xhandarmërisë, krahas abetareve, kishte zbuluar edhe literaturë tjetër në gjuhën shqipe edhe atë: “1 kartolinë “Kurorëzimi i Mbretit Zog”; 1 libër – Patriotizmi dhe nacionalizmi; 1 libër – Shqiptarët dhe të drejtat e tyre; 1 libër -Kultura e arritur; 1 libër – Familja e gurit; 1 libër – Gjimnastika; 1 libër pa titull, ndërsa me përmbajtje të njëjtë për çështje ushtarake; 1 libër këndimi për klasë të IV fillore; 1 libër këndimi për klasë të II fillore; 1 libër – Zogu, pa kopertinë; 1 abetare e vjetër pa kopertinë; 1 libër – Historia e Skënder Beut.” Sikurse në raportin e parë edhe këtu nënvizohet se librat vijnë nga seria e botimeve të Shqipërisë dhe janë në gjuhën shqipe, për të shtuar: “73 abetaret e nënvizuara janë krejtësisht të reja, ndërsa librat tjera janë më të vjetra dhe të njëjtat janë përdorur një kohë më të gjatë.” Në fund të raportit thuhej: “Të gjithë të përmendurit janë burgosur dhe bashkërisht me librat e gjetura i kemi dorëzuar Kryeshefit të rrethit të Dibrës për procedurë të mëtejshme ligjore.”
Lufta e ashpër e ndërmarrë kundër çdo përpjekjeve shqiptare, përfshi edhe kundër shkollës shqipe, nga aparati policorë serb në krahinat shqiptare dirigjohej nga Akademia e Shkencës dhe Arteve Serbe (ASHAS). Kështu në vitin 1937: “Klubi kulturor serb i Beogradit vendos një projekt për shpërnguljen e detyruar të shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë drejtë Turqisë dhe Shqipërisë.” Në përputhje me këtë projekt, qeveria jugosllave më 29-30 shtator të vitit 1938 nënshkroi Marrëveshjen me qeverinë turke, që njihet si: “Marrëveshja turko-jugosllave për kalimin e myslimanëve të Jugut në Turqi.” Kjo politikë gjenocidiale e antishqiptare u iniciua nga Vasa Çubrilloviçi më vitin 1937 për ta vazhduar nobelisti Ivo Andriçi në vitin 1939, Ministër i Mbretërisë jugosllave. Megjithatë, projektet antishqiptare të hartuara nga ASHAS nuk do të realizohen ashtu siç ishin paraparë. Kjo për faktin se krerët e Organizatës studentore “BESA”, në bashkëpunim me veprimtarët e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës dhe konsullatën shqiptare në Shkup morën një sërë aktivitetesh, kryesisht informative, në mbarë hapësirën shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë jugosllave, ku veç tjerash, apelonin tek fshatarësia shqiptare, që mos ta shesin tokën e tyre sepse, sipas tyre, pushtetarët: “mund t’u konfiskojnë gjithçka, por shtëpitë nuk mund t’ua merr”, dhe se kjo politikë “është afatshkurtre ku do të vijë dita që Shqipëria do t’i çliroj të gjitha viset e robëruara shqiptare edhe atë nga Shkupi e deri në Prishtinë.” Kështu, sipas burimeve policore serbe: “Shqiptarët janë tepër të dëgjueshëm ndaj kërkesave të parisë së tyre” dhe se “tani më rreth tre vite të tëra nuk shesin as një pëllëmbë tokë”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.