Shkup, 24 shkurt – Në këtë kohë të brishtë politike, kur duhet të ruhet qetësia, stabiliteti dhe harmonia mes komuniteteve etnike dhe fetare, kur ka një amulli se si do jetë fati i së ardhmes së këtij shteti multietnik dhe multifetar dhe kur të gjithë presin me padurim që të rikthehet sundimi i ligjit dhe përfundimisht të kemi një qeveri politike stabile, papritmas shpërthen edhe një rrufe skandaloze, që nuk arrin asgjë, përpos që shkakton tensione dhe e rrit mosbesimin e qytetarëve në vend, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA, pas transmetimit në media maqedonase të qëndrimit të KOM-it se nuk do të lejojë të rrezikohet “Pozicioni kushtetues u gjuhës maqedonase” dhe karakteri unitar i shtetit. “Kështu Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO), për të satën herë radhazi e shkelë rregullin bazë të sekularizmit të shtetit, që ua ndalon komuniteteve fetare të përzihen në punët e brendshme të shtetit. KOM-i në komunikatën e sotme, pos tjerash, bëri apel deri te liderët politikë që ta ruajnë pozicionin kushtetues të gjuhës maqedonase në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë, kjo në pajtim me Kushtetutën dhe karakterin unitar të shtetit. Që gabimi të duket skandal, KOM-i deklaroi ‘se populli duhet të udhëhiqet prej vlerave ungjillore krishtere’, madje Kisha Ortodokse Maqedonase e konsideron veten si nënë shpirtërore e të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë të tjerëve, pavarësisht nga përkatësia etnike”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA. Të përzihet një bashkësi fetare në interpretime kushtetuese për përdorimin gjuhëve zyrtare ose të deklarohet se shteti duhet të udhëhiqet prej vlerave ungjillore, kjo sipas kësaj partie, padyshim se është tendencioze dhe fyese për popullin shqiptar, i cili është me shumicë absolute mysliman dhe autokton në këtë vend, ndërsa të vazhdosh më tutje dhe të thuash se Kisha ka përgjegjësinë prindërore ndaj të gjithë besimtarëve pa dallim feje, kjo është përtej të gjitha kompetencave dhe ofenduese për të gjithë besimtarët e feve të tjera. Lëvizja Besa, duke u bazuar në nenin 19, amendamenti 7 të Kushtetutës, e dëno këtë deklaratë, duke e quajtur tendencioze dhe i bën thirrje KOM-it që së paku duke u bazuar në parimet fetare që i proklamon vetë ortodoksizmi, ta respektojë kushtetutshmërinë e shtetit dhe të mos e rrënojë parimin shekullar të shtetit, sepse përzierja e tillë sjellë pasoja të cilat askush nuk do t’i dëshironte në këtë vend. “Nëse kjo krizë e thellë politike merr edhe nuanca religjioze, pasojat e saj nuk mund të parashikohen”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.