Shkup, 19 korrik – Të mërkurën në Parlamentin e Maqedonisë u mbajt takimi radhës mes përfaqësuesve të partive politike shqiptare, të cilin edhe këtë radhë e bojkotoi Lëvizja BESA. Nga BDI morën pjesë kryetari Ali Ahmeti si dhe nënkryetari Sadulla Duraki, nga PDSH zëdhënësi Luan Tresi, Gëzim Ostreni nga Uniteti, Syrija Rashidi nga LR-PDSH, si dhe Vesel Memedi nga RDK, me nismë të të cilit edhe u organizua takimi. Pas takimit Memedi tha se në takim është biseduar për pesë pika, ku më kryesorja ishte ajo që gjuha shqipe paralelisht me Komisionin Venecias të shkojë në Qeveri dhe në Parlament, ndërsa theksoi më tej se konkluzion i përbashkët ka qenë se deri më tani po shkon mirë implementimi i Deklaratës së partive shqiptare. “Pika 1 – për miratimin e gjuhës shqipe jemi pajtuar dhe e njëjta është tani do të shkojë në Komisionin e Venedikut dhe paralelisht do të sillet edhe në Qeveri dhe Kuvend. Presim që Komisioni i Venedikut të sjellë vendim të shpejtë dhe të drejt për këtë çështje. Pika 2 – Këso mbledhje do të kemi përsëri, radhën tjetër do të takohemi me ftesë të kryetarit të partisë Uniteti, Gëzim Ostrenit. Pika 3 – Së shpejti do të fillojnë negociatat për çështjen e emrit me Greqinë, kemi biseduar për çështjen e kyçjes së shqiptarëve në këto bisedime. Pika 4 – Absolutisht të gjithë përfaqësuesit që ishin në mbledhje, e përkrahin për marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Pika 5 – Është diskutuar për dinamikën e të gjitha pikave të Deklaratës së partive shqiptare dhe implementimin e tyre në Qeveri. Deri më tani mirë shkon ai proces dhe mendojmë se deri në fund të gjitha pikat do të pranohen nga kjo Qeveri dhe ky Kuvend”, deklaroi Memedi. Sa i përket bojkotit, deputeti i Lëvizjes BESA Fadil Zendeli, deklaroi se ata nuk marrin pjesë në takim për shkak se ftesa nuk ka qenë e sinqertë dhe pa agjendë konkrete, ndërkaq theksoi se e ka thirrur “njeriu që është në shërbim të BDI-së”. “Kjo nismë nuk është e sinqertë. Para se të thirret një takim i tillë duhet të konsultohen të gjithë nënshkruesit e Deklaratës me agjendë konkrete. Nga ana tjetër, nismëtar i takimit është njeriu i cili para zgjedhjeve paraprake ishte fajtori kryesor i cili nga aspekti i opozitës nuk arriti të bashkohet dhe të kemi një koalicion, me çka sot do të kishim një pasqyrë tjetër në Kuvend. Siç atëherë i shërbente BDI-së , edhe tani i shërben BDI-së. Prandaj konsiderojmë se në një agjendë të tillë nuk duhet të marrim pjesë. Deklarata shqiptare po keqpërdoret”, theksoi Fadil Zendeli. (F.R)