Nëse edhe në këtë zgjedhje, njerëzit e paditur lihen që të përcaktojnë fatet e profesionistëve, atëherë nuk më mirë ato zgjedhje të mos mbahen fare, sepse fundja efekti që prodhon një zgjidhje e padrejtë kadrovike mund të ketë shtrirje të gjerë kohore e hapësinore. Pra jo të gjitha zgjedhjet mund të ofrojnë zgjidhje adekuate, nëse me punët delikate kadrovike nuk merren njerëz të përkushtuar, objektiv dhe tepër korrekt
Nga Emin AZEMI
Njerëz me kravata dhe katllëqe të blera lirë që rrinë paluar si nuse para selive të partive politike, përbëjnë imazhin e përsëritur sa herë që proceset zgjedhor nxjerrin mbi sipërfaqe njerëz me vlera mesatare, të cilët imponohen jo për ndonjë ide a kauzë, por për ndonjë pozicion në administratë, në ndonjë kompani shtetërore, por pse jo edhe në eshalonët qeveritare, që ata i projektojnë si të rëndësishëm për ardhmërinë personale të tyre.
Në shikim të parë, nuk ka asgjë të keqe nëse njerëzit, deri dje të padukshëm, sa ora bëhen të dukshëm. Të gjithë ata që duan të jenë të dukshëm kanë një apo më shumë arsye se pse veprojnë ashtu. Por, zakonisht, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, në këtë kategori njerëzish nuk mund të gjesh kuadro që vërtetë kanë kontribuar në planin profesional, apo partiak dhe të tillët të mos iu kenë rënë në sy shefave të partisë.
Çdo parti politike i ka metodat dhe mjetet e saj për të detektuar vlerat dhe aftësitë e çdo njërit që mendohet se mund të jetë i dobishëm në kryerjen e ndonjë funksioni të caktuar publik. Por, jo gjithmonë në këto detektime përfshihen të gjithë ata që vërtetë e meritojnë, sepse ndodhë që në këto ‘sita’ partiake të mos kalojnë edhe plot kuadro që kanë rezultate të caktuara në vendin prej nga vijnë.
Puna e parë që duhet bërë partitë politike, ka të bëjë me metodologjinë e përzgjedhjes së kuadrove, sepse në të kaluarën është provuar se kjo metodologji ka vuajtur nga mungesa e kritereve të caktuara, që e bëjnë të mangët procesin përzgjedhjes.
Metodologjia e re gjithsesi duhet të bëjë diferencimin në mes të tifozerisë partiake dhe përgatitjes profesionale të njerëzve. Në të kaluarën ka patur raste të shumta që nëpër institucionet shtetërore e e publike janë dërguar më tepër kuadro që janë përzgjedhur mbi kriterin e tifozerisë dhe më pak mbi atë të profesionalizmit. Për rrjedhojë, ka ndodhur që posa je futur në një X institucion, puna e parë që të bie në sy është mungesa e disiplinës dhe mbarëvajtjes së procesit të punës. Aty, përpos që ka stërngarkesë njerëzish që janë dërguar me rekomandime partiake, ka edhe prishje të sistemit të hierarkisë së vlerave, sepse një i papërgatitur profesionalisht ia ka zënë vendin një profesionisti, kurse një kuadër që shkon në punë vetëm ditën kur duhet ta merr rrogën, ia ka zënë vendin një kuadri tjetër, i cili është i gatshëm të punojë edhe jashtë orarit të punës, vetëm e vetëm që institucioni ku duhet të punojë ai të jetë i suksesshëm dhe në fund bilanci financiar të varet nga puna e ndershme e çdo njërit.
Njerëz me kravata dhe katllëqe të blera lirë, mund t’i shihni edhe tani në prag të këtyre zgjedhjeve. Ata maratonën e garës e kanë filluar vonë, pak para shpalljes së zgjedhjeve, kurse lidhshmërinë me kuazat partiake e kupton si një punë që vetëm ata e dinë më së miri. Tipat e tillë nuk kanë ofertë profesionale dhe mundohen përmes bërrylosjes t’ua zënë vendin atyre që vërtetë kanë oferta profesionale.
Sot mund të gjesh plot kuadro që e kanë gjetur vetveten në vendet e ndryshme të punës në shtetet e Perëndimit, por paraprakisht ata janë refuzuar nga njerëz të caktuar të partive, dhe për pasojë refuzuesit e partive vendosin rregulla të këqija se kush mundet dhe kush nuk mundet të kryejë punë të rëndësishme dhe rutinore profesionale.
Nëse edhe në këtë zgjedhje njerëzit e paditur lihen që të përcaktojnë fatet e profesionistëve, atëherë nuk më mirë ato zgjedhje të mos mbahen fare, sepse fundja efekti që prodhon një zgjidhje e padrejtë kadrovike mund të ketë shtrirje të gjerë kohore e hapësinore. Pra jo të gjitha zgjedhjet mund të ofrojnë zgjidhje adekuate, nëse me punët delikate kadrovike nuk merren njerëz të përkushtuar, objektiv dhe tepër korrekt. (koha.mk)