Beograd, 26 maj – Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, deklaroi mbrëmë se Beogradi nuk do të vendosë masa reciproke pas vendimit të Malit të Zi për të mos e hapur kufirin për qytetarët serbë dhe vlerësoi se ata nuk duhet të shkojnë atje ku janë të padëshirueshëm.
Bërnabiq deklaroi se Serbia nuk do ta mbyllë kufirin me qytetarët malazez, por se do të jetë mbyllur për mafiozët malazez dhe klanet kriminale.
“Ne nuk do t’i parandalojmë qytetarët e thjeshtë të Malit të Zi që ta vizitojnë Serbinë, por duam edhe më fortë ta parandalojmë hyrjen e kriminelëve dhe klaneve mafioze nga Mali i Zi, të cilët me dekada kanë vrarë në Serbi dhe terrorizuar qytetarë”, tha Bërnabiq.
Ajo vlerësoi se “arsyeja e vërtetë” për vendimin e Malit të Zi për t’i hapur kufijtë për shumë vende, ndërsa jo për Serbinë, nuk qëndron në epideminë e koronavirusit dhe numrin e të infektuarve.
Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, deklaroi dje se shteti do t’i hapë kufijtë e saj në ditët e para të qershorit për ato vende që i plotësojnë kriteret epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, gjegjësisht në të cilat numri i personave të infektuar nga virusi është 25 për 100,000 banorë.
“Vendet e para janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Hungaria, Shqipëria, Greqia”, tha Markoviq.