Bruksel, 16 nëntor – Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi sot në Bruksel se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi i parë strategjik i Serbisë dhe se vendi realizon progres jashtëzakonisht të mirë në rrugën drejt BE-së, gjë që është interes strategjik për të dy palët.
Komisionari për zgjerim i BE-së, Johanes Han tha se duhet shfrytëzuar “momentin e ri” për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE.
Bërnabiq dhe Han i bënë këto komente në një konferencë të përbashkët për media me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogerini, pas takimit të Këshillit për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Serbi.
Mogerini theksoi se dyert e BE-së janë të hapura për gjithë Ballkanin Perëndimor kur secili nga partnerët në rajon t’i plotësojë kushtet dhe reformat e caktuara.
Mogerini dhe Han theksuan sukseset e Qeverisë serbe në konsolidimin e buxhetit dhe kushteve makroekonomike të biznesit.
“E falenderoj Beogradin për përkushtimin në dialogun me Prishinën”, theksoi Mogerini.
Kryeministrja serbe, nga ana e saj theksoi se shpreson që deri në dhjetor Serbia do të hapë tre deri në katër kapituj të rinj në negociatat për anëtarësim në BE.
“Serbia është e gatshme për hapje të pesë kapitujve të rinj. Unë pres tre ose katër prej tyre të hapen në dhjetor”, theksoi kryeministrja serbe.
Bërnabiq tha se qeveria e saj tani do të përqendrohet në reformat për sundim të ligjit dhe administratës publike.