Beograd, 10 korrik – Në Serbi sot janë konfirmuar 386 të infektuar dhe 18 të vdekur nga virusi i ri korona, deklaroi kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, duke shtuar se rezultatet nga protestat do të shihen pas disa ditëve.
“Sot është dita më e keqe që nga fillimi i luftës kundër virusit korona dhe për këtë shkak desha që personalisht t’iu drejtohem qytetarëve. Gjatë 24 orëve të kaluara humbën jetën 18 persona, 130 gjenden në makina respiratore dhe nga 8.646 të testuar kemi 386 të infektuar të rinj. Më kritike është gjendja në Beograd, ndërsa pastaj vijnë Shabaci, Kraguevaci dhe Novi Pazari”, theksoi kryeministrja.
Sipas saj, ky është rezultat i mosdiciplinës prej para pesë-gjashtë ditëve, ndërsa rezultatet nga protestat do të shihen për tre-katër ditë.
“Nuk do të hezitojmë për vendosjen e masave restriktive që ta ruajmë shëndetin e njerëzve. Mendimi imi është se masa më efikase është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndalesa e lëvizjes, por po përpiqemi që këtë herë të kemi qasje më të ndryshme sepse kjo është luftë e cila do të zgjasë gjatë”, porositi Bërnabiq.
Megjithatë ajo shfaqi bindje se rezultate mund të arrihen edhe pa shumë masa të rënda.
Ajo theksoi se përkeqësimi i situatës epidemiologjike është i dukshëm në gjithë rajonin.