Vetëm pak javë më parë, mediat ndërkombëtare duket se kishin bërë gati përkujtimoret, ndërsa Silvio Berluskoni ishte dërguar në spital. Ish kryeministri italian, 82 vjeçar, i njohur për festat e tij të famshme dhe gafat e shumta, shpesh në skenat ndërkombëtare, ishte në mes të fushatës për zgjedhjet evropiane, kur u dërgua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua një operacioni. Edhe vetë ai madje ishte frikësuar se mund të kishte arritur fundin.
Vitet e fundit ai ka patur një seri problemesh shëndetësore dhe i është nënshtruar edhe një operacioni në zemër në vitin 2016. Por, politikani i shumëpolemizuar pati një rikthim triumfues. Ai la pas krevatin e spitalit dhe u kthye në fushatë dhe tani me një fitore; është zgjedhur eurodeputet. Zgjedhja e tij shënon atë që ai shpreson të jetë hapi i parë në kthimin në korridoret e pushtetit, pasi u detyrua të hiqte dorë nga vendi i tij në parlament pas një dënimi për mashtrim me taksat në vitin 2015. Një gjykatë italiane, vitin e shkuar, ia hoqi masën që e ndalonte të merrte poste publike, duke vënë në dukje sjelljen e tij të mirë.
Si emri i parë në listën e partisë së tij, “Forca Italia”, ai katapultohet direkt në Strasburg. Berluskoni e sheh veten si një figurë shtetari të pjekur, me eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, kur ishte në pushtet, ai shpesh e kishte vënë në siklet Italinë në skenën ndërkombëtare dhe tmerronte eurokratët me shakatë e tij të hidhura. Por kohët kanë ndryshuar. Ai që dikur mund të ishte makthi më i keq i liderëve evropianë, tani, në një Evropë të fragmentarizuar, Berluskoni me gafat dhe shakatë e tij, duket se është i mirëpritur.