Kompania Fininvest e Silvio Berlusconit do të blejë të gjitha aksionet e klubit të Monzës, që militon në Serinë C, ndërsa zyrtarizimi pritet të vijë të enjten në mbrëmje ose të premten paradite. Ndryshe nga sa ishte folur më herët, për blerjen vetëm të 75 % të aksioneve, ish presidenti i Milanit ka vendosur të blejë të gjitha aksionet e klubit, për një vlerë prej rreth 2.5-3 milionë eurosh. Pronari aktual, Nicola Colombo do të vijojë të mbetet president i skuadrës, edhe pasi aksionet të kalojnë nga ai te Berlusconi, ndërsa Adriano Galliani do të mbajë postin e Administratorit të Deleguar. Me këtë lëvizje, dyshja Berlusconi-Galliani, të cilët ngritën shumë lart emrin e Milanit në arenën italiane dhe ndërkombëtare, rikthehen edhe një herë në botën e futbollit, ndonëse këtë herë me një projekt shumë më modest se ai me kuqezinjtë.