Berlin, 19 dhjetor – Ministria gjermane e Punëve të Jashtme e ka kritikuar ashpër vendimin e autoriteteve arsimore turke që të ndalojnë kremtimin e Krishtlindjeve dhe këndimin e këngëve të Krishtlindjeve në shkollën e mesme gjermane në Stamboll, njofton korrespondenti i MIA-s nga Berlini. “Nuk e kuptojmë vendimin e papritur të administratës së shkollës”, thuhet në reagimin e Ministrisë gjermane. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, javën e kaluar drejtoria e shkollës së mesme gjermane, e themeluar para 100 vjetëve, publikoi se “tradita e Krishtlindjeve dhe këndimi i këngëve të Krishtlindjeve tashmë nuk janë pjesë të programit mësimor”. Në të njëjtën kohë është anuluar edhe performanca e korit shkollor në koncertin tradicional të Krishtlindjeve në Stamboll. Në shkollën e cila financohet nga Gjermania punojnë 35 arsimtarë gjermanë, ndërsa pjesa më e madhe e nxënësve janë turq.