Berkou: Parlamenti britanik nuk mundet për herë të tretë të votojë për një marrëveshje të njëjtë për Bregzitin

Londër, 18 mars – Qeveria britanike nuk mund të propozojë votim të tretë për marrëveshjen për Bregzitin, pa pasur ndryshime në të, deklaroi kryetari i Dhomës së Ulët së Parlamentit Xhon Berkou.

“Nëse Qeveria dëshiron të prezantojë propozim të ri, i cili nuk është i njëjtë, apo në parim nuk është i njëjtë, (si tashmë ai i refuzuari) atëherë gjithçka është në rregull. Qeveria megjithatë nuk mundet sërish ta parashtrojë propozimin e njëjtë si ai që javën e kaluar ishte hedhur poshtë me 149 vota”, tha Berkou.

Kryeministrja britanike  Tereza Mej  paraprakisht deklaroi se ditëve të ardhshme do të tentojë për herë të tretë t’i bind deputetët në Dhomën e Poshtme të Parlamentit në Uestminster që ta miratojnë Marrëveshjen për Bregzitin, që Qeveria e saj e ka dakoduar me Brukselin vitin e kaluar në nëntor.

Në pajtim me vendimin që Parlamenti e ka miratuar të enjten, nëse deputetët më së voni deri të mërkurën e miratojnë Marrëveshjen, atëherë Mej nga BE-ja do të kërkojë anulim të Bregzitit prej 29 marsit për 30 qershor. Por, nëse deputetët edhe për herë të tretë e refuzojnë Marrëveshjen, atëherë Mej do të mund të kërkojë anulim më afatgjatë të largimit britanik nga BE-ja.

Mej do të kërkojë që deputetët të prononcohen lidhur me Marrëveshjen para Samitit të BE-së, që do të mbahet të enjten dhe të premten, ku ajo do të kërkonte anulim të Bregzitit.

Deputetët britanikë për herë të parë e kanë hedhur poshtë Marrëveshjen në janar të këtij viti, ndërsa për herë të dytë të martën e kaluar. Pas kësaj, të mërkurën ata u prononcuan kundër Bregzitit pa marrëveshje, ndërsa të enjten e kanë pranuar Vendimin për anulim të largimit britanik nga BE-ja pas terminit të paraparë 29 mars. (koha.mk)