Londër, 6 nëntor – Spikeri i deritanishëm i Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik, Xhon Berkou deklaroi se vendimi për daljen e vendit nga BE-ja e konsideron si gabimin më të madh të Britanisë së Madhe pas luftës, transmeton gazeta KOHA.
“Nëse doni përgjigje të sinqertë – nuk mendoj se kjo i ndihmoi Britanisë së Madhe. Besoj se shumë vite prapa isha i drejtë ndaj ithtarëve të Brekzitit, duke u dhënë të drejtë të parashtrojnë pyetje ekstreme dhe të fillojnë debate urgjente, si dhe ndaj kundërshtarëve të Brekzitit. Zgjodha të bëhen korrigjime në fjalimin e fronit (programi qeveritar) për zbatimin e referendumit për anëtarësim në BE, sepse ai ishte propozim legjitim dhe shumë deputetë u nënshkruan nën propozimin. Isha i drejtë me të gjithë, isha i paanshëm në funksionin tim. Por, tashmë nuk jam në funksion dhe nuk jam i detyruar të mbetem i paanshëm”, tha Berkou.
“Nëse më pyetni nëse Brekziti është në interesin tonë, përgjigja e sinqertë është – jo. Brekzitin e konsideroj si gabimin më të madh të politikës së jashtme në periudhën e pasluftës”, tha spikeri, i cili u tërhoq nga funksioni u tërhoq më 1 nëntor dhe sot foli para anëtarëve të Asociacionit londinez për korrespondentët e huaj.
Berkou vërejti se e respekton pozitën e kryeministrit Boris Xhonson dhe të drejtën e tij si lider i partisë më të madhe në parlament t’i mbrojë qëndrimet e veta.
“Por, mendimi im personal është se Brekziti nuk u përgjigjet interesave tona. Ne jemi pjesë e bllokut politik, bllokut tregtar. Dhe mendoj se është më mirë të mbetemi pjesë e bllokut politik”, tha Berkou.
Spikeri Xhon Berkou luajti rol kyç në shumë situata lidhur me Brekzitin. Shpesh herë kundër vullnetit të qeverisë u jepte dritë të gjelbër ndryshimeve, që propozoheshin nga përfaqësues të pikëpamjeve të ndryshme politike. Vetë Berkou është një ndër figurat më të njohura politike në Britani të madhe, në shkallë të madhe falë, para së gjithash, sharmit dhe zgjuarsisë së tij personal.(koha.mk)