Asnjë komunë më shumicë shqiptare nuk renditet në top dhjetëshin e komunave me bizneset më të fuqishme në shtet që qarkullojnë më shumë para dhe punësojnë një numër të madh të punëtorëve. Ekspertët ekonomik nuk çuditen me këto të dhëna, pasi siç thonë ata, kjo vjen si rrjedhojë e mungesës së investimeve njësoj në të gjithë shtetin
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 nëntor – Në top dhjetëshin e komunave me biznese më të fuqishme në shtet e që qarkullojnë më shumë para dhe punësojnë një numër të madh të punëtorëve, nuk figuron asnjë komunë më shumicë shqiptare. Të dhënat statistikore tregojnë se në listën e 100 kompanive më të mëdha në Maqedoni, Komuna e Kavadarit mban vendin e parë me kompani që në vitin e kaluar kanë pasur xhiro prej afër 252 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Shkupi nuk përllogaritet për shkak se në këtë konkurrencë marrin pjesë komunat që bëjnë pjesë në kryeqytetin e Maqedonisë. Në vendin e dytë me afër 247 milionë euro është Manastiri, ndërsa në vendin e tretë me xhiro prej afër 240 milionë euro është llindeni.
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se nuk çudit fakti se asnjë komunë shqiptare as përafërsisht nuk figuron në këtë listë, si rrjedhojë e mungesës së investimeve njësoj në të gjithë shtetin.
“Zhvillimi jo i barabartë rajonal i Maqedonisë si në të kaluarën, por edhe aktualisht, është shkaku kryesor i mos-renditjes së asnjë komune shqiptare me shumicë shqiptare në këtë listë. Me fjalë të tjera, si rrjedhojë e mungesës së investimeve më të mëdha, qoftë shtetërore apo të huaja, apo mungesës së kompanive të mëdha që do të punojnë në Maqedoninë Perëndimore, kemi edhe renditjen e rajonit të Pollogut si më të varfrin në Maqedoni me 1929 euro të Prodhimit të Brendshëm Bruto si dhe me një papunësi ndër më të lartat në shtet”, thotë profesori universitar, Nasir Selimi.
Sipas tij, është koha e fundit, por edhe imperativ i kohës që pushteti t’i kushtojë më shumë kujdes zhvillimit të qëndrueshëm dhe të barabartë të të gjithë rajoneve në Maqedoni.
“Qeveritarët e kanë edhe obligim kushtetues të përkujdesen për zhvillimin e të gjithë vendbanimeve në Maqedoni në mënyrë të barabartë. Andaj është koha e fundit që të mbështeten dhe përkrahen më shumë në aspektin ekonomik, infrastrukturor e kështu me radhë rajonet që ngecin në aspektin ekonomik për shkak se në të kundërtën, këto zona siç është për shembull Pollogu, në të ardhmen do të zbrazen dhe nuk do të ketë më edhe kush të punojë në fabrikat apo bizneset e tjera”, thekson Selimi.
Ai thotë se nevojitet ti ofrohet popullatës së kësaj ane së paku shpresë për një ardhme më të mirë duke zbutur sadopak ikjen e madhe të popullatës dhe boshatisjen e vendbanimeve të kësaj zone.
Nga ana tjetër, sipas Prodhimit të Brendshëm Bruto, si indikator apo tregues ekonomik që paraqet vlerën me çmimet e tregut të të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve të prodhuara brenda një rajoni apo shteti në një vit, rajoni më i pasur në Maqedoni është ai i Shkupit me 5673 euro për kokë banori, i pasuar nga rajoni i Vardarit me 4371 euro dhe ai Juglindor me 4333 euro.
Rajoni i Pellagonisë është i katërti me 3955 euro, ndërsa ai Lindor me 3689 euro është i pesti. Në tre vendet e fundit renditet rajoni Jugperëndimor me 2906 euro, ai Verilindor me 2462 euro dhe krejt i fundit me 1929 euro është rajoni i Pollogut.
Në ndërkohë, të dhënat tej tregojnë se në Kavadar, biznesi me qarkullim më të madh është kompania vendore e prodhimeve metalike “IGM Trejd” me të ardhura prej 106 milionë euro, e pasuar nga fabrika gjermane “Drekslemajer”, me 57 milionë euro e që ka 5500 të punësuar. Fabrika për përpunimin e duhanit “Alajns Uan”, si investim i huaj me 550 të punësuar e hapur në vitin 2011, si dhe kompania lokale e tregtisë me derivatet e naftës “Crna Reka Petroll”, me afër 42 milionë euro.
Komuna e Manastirit është selia e katër kompanive që renditen ndër 100 kompanitë me qarkullim më të madh në Maqedoni. Këtu dallohet fabrika gjermane e kabllove të veturave që u hap në vitin 2013 “Kromberg dhe Shubert”, me afër 6000 të punësuar. Ajo, në vitin e kaluar ka pasur xhiro prej 151 milionë euro. Në vendin e dytë me afër 38 milionë euro është Qumështorja e privatizuar e Manastirit me 38 milionë euro, pason zinxhiri i farmacive që shtrihen në tërë Maqedoninë ”Eurofarm” me 30 milionë euro dhe kombinati bujqësor “Pellagonia”, me të ardhura prej 28 milionë euro. Në Komunën e Ilindenit të Shkupit ka selinë fabrika për prodhimin e autobusëve “Van Hull”, si investitor nga Holanda e që punëson mbi 800 punëtorë dhe qarkullon 134 milionë euro.
Në këtë komunë vepron edhe “Pekabesko”, apo prodhuesi më i madh vendor i përpunimeve të mishit me qarkullim prej 71 milionë euro dhe me mbi 450 të punësuar, si dhe distributori “NELT” me 215 të punësuar dhe të ardhura prej afër 33 milionë euro, raporton KOHA.
Ndër komunat që kanë biznese të fuqishme është edhe Komuna e Velesit ku punon zinxhiri i shitoreve me pakicë “Zhito”, me të ardhura prej afër 48 milionë euro, fabrika gjermane “Markart” me mbi 500 të punësuar dhe xhiro prej afër 47 milionë euro dhe fabrika vendore “Brako”, me të ardhura prej afër 26 milionë euro. Në Prilep, punojnë katër kompani të suksesshme si “Birraria e Prilepit” me të ardhura prej afër 30 milionë euro, fabrika “Vitaminka” me 28 milionë euro, “Kombinati i Mermerit” që u privatizua nga investitorët grek me afër 26 milionë euro dhe investimi amerikan i industrisë automobilistike “Genterm”, me afër 25 milionë euro dhe mbi 700 të punësuar, nga 2000 punëtorë që janë paralajmëruar se do të angazhohen pas rrumbullaksimit të investimit total.
Në Vinicë punojnë edhe kompania “Dadi”, e tregtisë me naftë dhe prodhimit bravëpunues të prodhimeve të ndryshme nga hekuri me xhiro prej afër 63 milionë euro dhe fabrika e ëmbëlsirave “Makprogres” me afër 29 milionë euro. Në vendin e shtatë është Makedonska Kamenica me xeheroret me pronar të huaj “Sasa”, me 90 milionë euro dhe 700 të punësuar. Shtipi dhe Radovishi kanë xhiro nga 68 dhe 66 milionë euro. Në vendin e dhjetë me xhiro prej 63 milionë euro është Komuna e Gjevgjelisë ku punon kazinoja dhe hoteli “Prins”, si dhe fabrika e “Kontiplast”, e themeluar në vitin 1975 dhe e orientuar kryesisht në eksport me gypat plastike. (koha.mk)