Tashmë është zyrtare, e zezë mbi të bardhë, futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, ish-lojtari i Skënderbeut, Bernard Berisha, do të jetë tashmë futbollist i Terek Grozny, pasi sot ka hedhur firmën e tij mbi kontratën që e largon atë nga ish-ekipi, Anzhi. “Official News. Nga sezoni i ardhshëm do të luaj për ekipin e Terek Grozny …Unë do të doja të falënderoja të gjithë ekipin, fansat e mi dhe mbështetësit për sa kohë isha në Anzhi. Faliminderit për mikpritjen që më është bërë në Dagestan. Me Respekt Bernard Berisha” , ka njoftuar vetë Berisha, nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.
Bernard Berisha i bashkohet kështu te Terek Grozny dy futbollistëve të përfaqësueses së Shqipërisë, Bekim Balaj, dhe Odise Roshi, për ta çuar në tre numrin e futbollistëve me kombësi shqiptare që aderojnë në klubin çeçen të Superligës ruse. Sipas portalit të profilizuar në transaksionet dhe transferimet e merkatos, transfermarkt.de, Berisha është bashkuar me e Terek Grozny për një vlerë prej 1.5 milionë euro, ndërkohë që vetë klubi çeçen kishte bërë me dije se Berisha do të nënshkruajë një kontratë me kohëzgjatje prej 3.5 vitesh.