Një tjetër futbollist, që ka luajtur me fanellën kuqezi, i bashkohet përfaqësueses së Kosovës. Më së fundi, FIFA i ka dhënë leje Besart Berishës, që të luajë me skuadrën e Albert Bunjakit. Përmbylljen e procedurës përkatëse në qeverinë globale të futbollit e ka konfirmuar menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala. Ky i fundit ka njoftuar të enjten se leja e FIFA-s, që Berisha të përfaqësojë Kosovën, ka ardhur tashmë në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Sidoqoftë, sulmuesi i ekipit australian, Melburne Viktori, nuk pritet të luajë në ndeshjen ndaj Turqisë, më 12 nëntor, në Antalia, për shkak të angazhimeve që ka në klubin e tij. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare pritet të jetë në dispozicion të Bunjakit për ndeshjen ndaj Islandës, e cila do të luhet më 24 mars të vitit të ardhshëm.