Beteja e Kosharës nuk kishte më shumë 3 mijë vetë. Këtë e thotë udhëheqësi i kësaj beteje, komandanti Rrustem Berisha, duke e pohuar se është tentuar vazhdimisht që ky numër të fryhet. I pyetur se kujt i takon të flasë për këtë betejë, Berisha tha se mund të flasin të gjithë ata që ishin pjesë e saj, mirëpo secili në kompetencat e veta.
Berisha tha se debatet lidhur me betejën e Koshares po bëhen me qëllim të zbehjes së saj.“Beteja e Koshares është betejë që duhet të mburren të gjithë shqiptarët. Sepse rreth suksesit, betejës, po e pranojnë edhe kundërshtarët tanë.
Më së miri po ia japin ata vlerën edhe pse po mundohen ta rrisin numrin tonë në 15 mijë, edhe pse ne ishim 3000. Problemin e shoh se do të ishte mirë secili të flasë për përgjegjësitë, kompetencat që ka pas në kuadër të betejës së Koshares. Kur dalin jashtë asaj sigurisht se vijnë te përfundimi i gabuar. E dyta nëse ne jemi mburr me diçka në të kaluarën është organizimi dhe uniteti që kemi bë në Koshare”, ka thënë ai.
“Të gjitha këto debate që po bëhen në rastin e 20 vjetorit mendoj se janë të panevojshme. Se dikush po tenton në forma të ndryshme ta mohojë e ta zbehë. Nuk mendoj se ato qëndrime që i kemi dëgjuar në debate të ndryshme janë reale dhe në kuadër të atij bashkimi që kemi arritur në atë kohë.
Ka dëshmi të mjaftueshme që ne kemi arritur atë që nivelet më të larta nuk e kanë arritur. Ne në terren kemi arritur që të unifikojmë faktorin ushtarak, të gjitha grupet dhe organizimet që kanë funksionuar në atë kohë t’i vendosim në një strukturë”, ka shtuar Berisha.