Bujar KURTAJ
Shkup, 8 dhjetor – Pas përfundimit të sezonit vjeshtor, ku KF Shkëndija u shpall kampion vjeshtor, drejtuesit e këtij klubi kanë vazhduar aktivitetet e tyre, derisa futbollistët deri më 3 janar do të jenë në pushim të merituar. Si rezultat i kësaj, drejtuesit e klubit kuqezi kanë organizuar një kamp, në të cilin janë duke u testuar disa futbollist, për të cilin vendimin kryesor se a do të mbetet ndonjëri prej tyre apo jo, do ta jap stafi teknik me në krye trajnerin Qatip Osmani.
Mirëpo, ditëve të fundit në skenë si përforcime të mundshme kanë dalë disa emra, ndërsa së fundmi thuhet se mbrojtësi 23 vjeçar nga Shkupi, Mevlan Adili që luan në Ligën e dytë të Rumanisë UTA Arad, shihet si një opsion i mundshëm nga stafit teknik për të përforcuar mbrojtjen. Adili edhe në të kaluarën ka qenë pjesë e skuadrës nga Tetova, por pas gjashtë muajve u largua duke mos iu dhënë shumë rast për ti treguar vlerat e tij. Ndërsa tani kur trajner i skuadrës është Qatip Osmani, mësohet se pikërisht trajneri është ai që u ka kërkuar drejtuesve të klubit ta sjellin atë në Tetovë.
Për të konfirmuar këtë lajm, kontaktuam menaxherin e futbollistit Meriton Berisha, i cili pranoi se ka kontakte mes tij dhe drejtuesve të klubit, por deri më tani s’ka asgjë zyrtare.
“Kam pasur disa kontakte me klubin dhe ekziston interesimi i Shkëndijës, po edhe anasjelltas. Po presim të përfundon kampionati në Rumani pasi ka mbetur edhe një xhiro të luhet dhe të vjen Mevlani ku pastaj do të flasim pak më konkret. Deri më tani nuk ka diçka oficiale”, deklaroi për gazetën KOHA, menaxheri i 23-vjeçarit Meriton Berisha.