Një nxënëse e shkollës së mesme në SHBA, u ka dhënë shokëve dhe shoqeve të klasës disa biskota të përgatitura nga hiri i trupit të djegur të gjyshit të saj, transmeton Anadolu Agency.
Polici i rajonit Davis, Paul Doroshov, njoftoi se një nxënëse e shkollës së mesme në afërsi të Sacramentos, u ka dhënë të paktën 9 shokëve dhe shoqeve biskotat e përgatitura me një shoqe të saj, duke përdorur hirin e trupit të djegur të gjyshit të saj.
Davis police discuss school’s involvement in the investigation pic.twitter.com/Vo6Pl49MjO
— kcranews (@kcranews) October 16, 2018
Doroshov thotë se disa nga nxënësit kanë thënë se në biskota ka hi të trupit të djegur të njeriut. Ai tha se inspektorët kanë biseduar me 9 nxënës të cilët kanë ngrënë nga biskotat në fjalë dhe shton se kanë gjetur detaje mbështetëse që biskotat janë bërë nga hiri i trupit të vdekur të njeriut. Mirëpo, sipas Doroshov, nuk është aq e mundshme që nxënësit të ballafaqohen me ndonjë akuzë.
Doroshov thekson se policia ka njoftuar se rasti nuk ka shkaktuar ndonjë rrezik shëndetësor dhe se zgjidhja e rastit i ka mbetur menaxhmentit të shkollës.
Drejtori i shkollës, Tyler Millsap në një postim në rrjetin social Facebook dhe në një e-mail të dërguar tek prindërit tha se “këtë rast të vështirë po e shqyrtojnë më mënyrën më dinjitoze të mundur”.
Sipas tij, “nxënësit janë penduar nga ajo që kanë bërë dhe se tanimë kjo është një çështje familjare”.
Njëri nga nxënësit, Andy Knox në një deklaratë për televizionin KCRA tha se nxënësja, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, më parë kishte folur për hirin e trupit të djegur të gjyshit të saj.
Ai thotë se pasiqë ka kafshuar biskotën ka vërejtur se ka diçka ndryshe në shijen e saj. “Më tha se brenda biskotës ka diçka të veçantë”, tha Knox.
Knox thotë se më pas vajza duke qeshur ka thënë se brenda biskotës gjendet edhe hiri i gjyshit të saj të vdekur. “Nëse keni ngrënë rërë kur keni qenë fëmijë e dini, ju duket se kërcet diçka në mes të dhëmbëve. Edhe në biskotë kishte një krismë që i ngjante asaj”, thotë ai.