Është e nevojshme që Republika e Maqedonisë të bëjë hap të guximshëm në drejtim të eurointegrimeve. Stabiliteti i rajonit do të jetë më i madh nëse të gjitha vendet të cilat rrjedhin nga Ish-Jugosllavia bëhen pjesë e atyre integrimeve, theksoi në fjalimin para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, kryetari i Kuvendit të Sllovenisë Millan Bërglez. Marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Sllovenisë janë miqësore dhe të mira, ndërsa Lubjana, potencoi ai, e mbështet zhvillimin ekonomik dhe politik dhe procesin eurointegrues të Republikës së Maqedonisë.
“Për fat të keq në bashkësinë ndërkombëtare ekzistojnë aktorë të cilët i ngadalësojnë proceset eurointegruese, ndërsa Sllovenia përpiqet për t’i përshpejtuar. Sipas Bërglez, faktori kyç që e ngadalëson procesin eurointegrues të Maqedonisë është përçarja në Bashkimin Evropian midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai është më i rëndësishëm se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja”, theksoi Bërglez. Edhe njëherë e falënderoi Maqedoninë për përballjen me krizën e emigrantëve.
“Atë që e ka bërë Republika e Maqedonisë për shtetet e tjera në Rrugën Ballkanike dhe për vendet e BE-së, meriton njohje të plotë, e jo pengesë të tillë siç e ndjen tani. Sllovenia do të bëjë gjithçka që të ktheheni në rrugën tuaj drejt NATO-s dhe BE-së”, theksoi Bërglez. Marrëdhëniet ekonomike janë të mira, por duhet më shumë të zhvillohen.
“Ekzistojnë edhe shumë mundësi të pashfrytëzuara”, tha Bërglez i cili konsideron se Maqedonia duhet të mësojë nga përvojat e Sllovenisë. Bisedimet e sotme në Shkup konfirmuan, sipas tij, se Maqedonia dhe Sllovenia ndan pikëpamje të përbashkëta në shumë sfera. Sllovenia midis të parave e ka njohur Maqedoninë nën emrin kushtetues, ndërsa sivjet shënohen 25 vjet nga marrëdhëniet diplomatike.