Bujar KURTAJ
Shkup, 19 shtator – Berat Sadiku është larguar nga skuadra ruse Krilja Sovjetov për tu transferuar në kampionatin qipriot, respektivisht te anëtari i elitës Doksa Katokopia. Pas një aventure jo të mirë që kishte në Rusi, futbollisti shkupjan vendosi të largohet nga skuadra e Krilja dhe të pranojë ofertën e skuadrës nga Qipro, drejtuesit e së cilës paraprakisht ishin të interesuar për shërbimet e tij. Lajmin për transferimin e tij te skuadra e Doksa Katokopia për gazetën KOHA e konfirmoi vetë Sadik.
“Në Doksa kam ardhur para dy jave. Në verë drejtuesit e klubit shprehën interesim për mua që të shkoj tek ata. Pasi shqyrtova gjitha opsionet, vendosa të pranojë ofertën e tyre dhe të nënshkruaj për ata. Deri më tani jam i kënaqur me at që kam parë në stërvitje. Bëhet fjalë për një klub mirë të organizuar ku mua nuk më mbet asgjë tjetër vetëm se të arsyetoj besimin që ma dhanë drejtuesit e klubit dhe të arrij suksese si në aspektin ekipor poashtu edhe në atë individual”, thotë për gazetën KOHA, Sadik.
Derisa, sulmuesit shtatlartë nuk iu desh shumë kohë, pasi në ndeshjen e tij të parë që e zhvilloi të dielën kundër Nea Salamis, arriti të regjistrohet në listën e golashënuesve.
“Të dielën zhvillova ndeshjen e parë dhe falë Zotit shënova gol dhe çka është më e rëndësishmja e fillova me fitore. Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në ndeshjet e ardhshme”, nënvizoi më tej Sadik.
Në fund 31 vjeçari foli edhe për aventurën në Rusi. “Me Krilja Sovjetov u ndava përfundimisht. Kur u transferova nga Tuni me ata nënshkrova për dy vite, mirëpo siç e dini trajneri nuk më dha rast ti dëshmoj aftësitë e mia dhe kërkoja që të largohem pasi doja të luaj dhe jo të qëndroj në bankë. Kjo edhe ndodhi dhe siç thash tani jam futbollist i Doksa Katokopia, dhe shpresoj të kem sukses”, përfundoi Berat Sadik.
Cekim, sulmuesi shkupjan ka një karrierë të pasur futbollistike, pasi deri më tani ka luajtur për shumë klube të njohura si Kups, Lahti, Arminia Bielefild, Zulte Varegem, Lahti, HJK dhe Tun, derisa ai është edhe reprezentues i përfaqësueses së Finlandës për të cilën deri më tani ka shënuar 11 paraqitje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.