Bruksel, 25 janar – Takimi i udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, me ftesë të Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini në Bruksel, ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret. Të dyja palët pohuan se ishin “bisedime të vështira”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Beogradit i është bërë e qartë se Kosova do të veprojë si shtet i pavarur dhe sovran. “Shpresoj që pas këtij takimi, Serbia do të qetësohet dhe do të ulë agjendën e vet nacionaliste në raport me Kosovën dhe pretendimin për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe do të ishte mirë që Serbia ta njohë sa më parë që të jetë e mundur”, tha Thaçi. Ai shtoi se me BE-në janë hapur të gjitha çështjet, përfshirë edhe fletarrestimet e Serbisë, ndërsa i ka bërë thirrje Beogradit që të mos manipulojë me serbët e Kosovës. “Kemi insistuar që Bashkimi Evropian të jetë i qartë dhe i vendosur në presionin e vet ndaj Beogradit”, tha Thaçi. Thaçi përsëri theksoi se muri në veri të Mitrovicës i ngritur nga autoritetet lokale atje, duhet të rrënohet dhe se Serbia duhet të zhbëjë strukturat e saj në veri të Kosovës. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se takimi i së martës ka qenë ndër më të vështirët dhe se ka pajtim për të vazhduar një seri takimesh në nivel të lartë. “Do të bëjmë përpjekje që të gjithë të lëshojmë topin dhe të sillemi me përgjegjësi”, tha Vuçiq. Takimi, në të cilin kanë marrë pjesë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, dhe presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikolliq, është thirrur si një përpjekje e BE-së për t’i ulur tensionet midis dy palëve. Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa, pas takimit me palën serbe në Bruksel, tha se është biseduar për qetësimin e situatës pas incidenteve të fundit. “Biseduam për incidentet e fundit, siç ishte çështja e trenit. Kërkuam që të respektohet integriteti territorial i Kosovës dhe të mos ketë ndërhyrje të strukturave paralele”, tha Mustafa. Ai, siç transmeton Telegrafi, tha se kanë kërkuar që dialogu të përshpejtohet dhe të arrihen rezultate konkrete. “Po ashtu kërkuam që në dialog të ketë përfshirje më të madhe. Pra të përfshihen edhe përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile”, tha kryeministri Mustafa. Ai ka bërë të ditur se lidhur me murin në Mitrovicë nuk ka asnjë negociatë që duhet të bëhet. Mustafa tha qeveria ka vendim të prerë se ai mur do të rrëzohet, qoftë nga ata që e kanë ngritur, qoftë nga vetë institucionet e Kosovës.