“Nuk pajtohemi me atë që na përshkruhet neve, se demonstratat kanë pasur tërësisht karakter irredentist, gjoja sikur kanë pasur për qëllim bashkimin e viseve të banuara me shqiptarë në Jugosllavi dhe pastaj të bashkohen me Shqipërinë. Kjo kërkesë nuk është dëgjuar nga ana e asnjë qytetari të Kosovës…”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Prandaj jemi plotësisht të bindur se demonstratat nuk do të merrnin aq përmasa të gjera në rast se nuk ndërmerreshin masa aq drastike, skiç janë: rrahjet, vrasjet, terrorizimet, arrestimet, e kështu me radhë. Ndaj tyre është shprehur dhe është derdhur shumë vrer nga disa organe të milicisë – si janë shprehjet “kurvë shqiptare, nuk do të lindësh më fëmijë shqiptar”; disa prej tyre të pirë kanë shëtitur rrugëve të qytetit, duke iu drejtuar qytetarëve “ku jeni ju, o robër”, “ku jeni ju të mjerë”, e kështu me radhë. Në çka ngjanë kjo dhe a dëshmon kjo për mohimin e frymës së Revolucionit! Përse të mos gjykojmë në mënyrë të drejtë dhe të gjerë, se forca, dhuna e kështu me radhë nuk janë garanci për zgjidhjen e problemeve, për çka na flet përvoja nga e kaluara. E dimë se gjatë Luftës së dytë botërore asnjë ushtri nuk ka qenë më e armatosur se ajo gjermane, por ajo e humbi luftën. Ose shahu i Iranit, i cili vetëm për një të premte pushkatoi më se 6000 njerëz, por në fund të gjithë e dimë si përfundoi ai, etj.
Neve, si komunistë, duhet të na jetë e qartë se sot çdo kund në botë është rritur vetëdija nacionale, pra edhe tek ne këtu në Jugosllavi, dhe për këtë nuk duhet të ndjehemi të prekur, sepse kjo është moto e Revolucionit tonë dhe ky është parimi jonë konsekuent , të cilin e mbrojmë me konsekuencë, si ne këtu, ashtu edhe në çdo vend tjetër të botës bashkëkohore të ngërthyer nga probleme të ndërlikuara. Kur bëhet fjalë për nacionalizmin i cili manifestohet, jemi shumë të brengosur, sepse nacionalizmi nuk është mjeti dhe metoda për zgjidhjen e të drejtave kombëtare. Në këtë mënyrë, në situatën që është krijuar me rastin e demonstratave, nacionalizmi u paraqit nga ana e të gjithëve- për këtë duhet të jemi real të gjithë si komunistë, si nga pala shqiptare, ashtu edhe nga pala serbe. Nacionalizmi me siguri nuk do të shkallëzohej deri në atë masë nëse pjesëtaret e popullit serb dhe malazez nuk do të shtinin nga dritaret të shtëpive të veta, nga oborret e tyre dhe në mënyra tjera të shumta. Nëse shtrohet pyetja se cili nacionalizëm është më i madh, atëherë del se më i shprehur është nacionalizmi i kombësisë serbe dhe malazeze edhe nëpërmjet vrasjeve mizore dhe armiqësore.
Si këto ka pasur edhe demonstrata në vende të tjera të Serbisë, siç janë: në Krushevc, Nish dhe në qytete të tjera me parullën: “Jetën e japim, Kosovën se japim”, “Beogradin e japim, Kosovën se japim”, e kështu me radhë. Këto janë elemente nacionaliste dhe shumë të vështira, ku përveç nacionalizmit shihet edhe një paternalizëm dhe një dozë e dukshme e hegjemonizmit me ide dhe bindje mjaft të dëmshme negative, të krijuara në bazën të asaj se Kosova gjoja është pronë private, ose si ndonjë teshë që blen dikush dhe është i bindur se ajo është pronë e tij personale.
Në këtë rast ne si komunistë duhet të themi të vërtetën dhe nga ky aspekt të çrrënjosim nacionalizmin, secili brenda kombit të vet, ose elementet e dominimit, do të thoshim të karakterit hegjemonist, sepse kjo gjë do të na shpinte në qorrsokak, në aventurë të rrezikshme. Përkundrazi, shihet se nuk është kultivuar sa duhet parimi i bashkëjetesës dhe i sinqeritetit edhe në mjedise të tjera, dhe jo vetëm në Kosovë, që bëhen konkluzione të shpeshta. Kjo duhet të zgjidhet në mënyrë sa më të drejtë dhe parimore, sepse sot edhe Namibia lufton për çlirim kombëtar ndërsa ne e përkrahim në të gjitha konferencat ndërkombëtare. Këto fakte na bëjnë me dije se shqiptarët nuk janë nacionalistë më të mëdhenj se sa të tjerët,dhe se nacionalizmi dallohet ndërmjet veti. Prandaj, nuk është mirë që në këtë adresë të bëhen fyerje, të përdoret forca, bastisje të pa nevojshme, duke shkaktuar frikë, keqtrajtime të mëdha, burgosje siç bëhet kohëve të fundit e kështu me radhë. Por duhet biseduar shtruar, sepse në këtë mënyrë gjendet e vërteta, dhe jo siç u tha më lartë, sepse me nxitjen e urrejtjes, lind edhe mosbesimi ndërmjet njerëzve dhe në këtë mënyrë nacionalizmi merr hovë të madh, rihapen plagët e Plenumit të para Brioneve e kështu me radhë. Të gjithë këtë sot e ndjekin miqtë dhe armiqtë, të zhvilluarit dhe të pazhvilluarit. Në lidhje me këtë duhet të jemi vigjilent.
Fjalimet e shokëve udhëheqës të Kosovës, duke nisur nga shoku Fadil Hoxha deri te Asllan Fazlia, përveç dënimeve të drejta rreth këtyre ngjarjeve, futën edhe shumë dyshime, sepse u thanë edhe shumë fjalë fyese, kërcënime, sharje, ndërsa fyerjet nuk duhet të dalin nga goja e një udhëheqësi sikurse është shoku Fadil Hoxha ashtu siç nuk duhet as nga njerëzit më pak të arsimuar siç janë për shembull shprehet: ”Plehu i Kosovës” , “Hajna”, “Bira e minit 300 groshë”, “Fëlliqët”, etj. Ndërkaq i bëhet pyetje shokut Fadil Hoxha rreth dialektikës materialiste e cila është e pranishme jo vetëm në natyrë, por edhe në shoqëri dhe këtë e di edhe ai vet, si do të përgjigjej mbi ligjet e lëvizjes dhe ndryshimet e shoqërisë, parime këto të ‘Revolucionit” tonë e kështu me radhë,ose kur bënë krahasime për gjoja pasurimin me radioaparate, televizorë, makina për larje teshash, automobil etj, pajtohemi se situa është siç e prezanton ai, por këto krahasime sot janë primitive dhe i ngjajnë lojërave të fëmijëve kur bëjnë gara ndërmjet veti se kush ka lojëra më shumë dhe më të bukura.
Por, nëse i pyetni banorët e Mitrovicës së Kosovës, ata të varfët me siguri do të përgjigjeshin se me shumë dëshirë do të jepnin të gjitha këto mjete teknike, vetëm për një natë që të mos thithnin të gjithë atë helm që del nga oxhaqet e fabrikave dhe shtrohet pyetja a ka në botë filtra dhe a s’paska mundësi Trepça me një kapacitet të këtillë prodhimi të blejë filtra, për të cilat është folur shumë. Në lidhje me këtë, ja se çka ka deklaruar profesori dr. Dragisha Dragoviq, gjinekolog, në një intervistë të vitit 1979: “Mitrovica e Kosovës është bërë qyteti më i ndotur dhe më i rrezikshëm për jetën në Evropë dhe njëri nga më të ndoturit në Botë. Një situatë e këtillë bënë që gratë të jenë sterile, ndërsa nënat të lindin fëmijë të deformuar, ndërsa kur bëhet fjalë për deformimet, Mitrovica e Kosovës zë vendin e parë në Evropë” e kështu me radhë. Këtë gjendje duhet ta dijë edhe shoku Fadil! Por, kur bëhet fjalë për këto aparate, asnjëri nga to nuk prodhohet tek ne në Kosovë, por në republikat tjerë! Tek ne në Kosovë sikur të mos ketë lëndë të para, dhe as që është bërë ndonjë angazhim që këto prodhime në këtë rajon të prapambetur, ku me siguri do të zbutej edhe problemi i papunësisë. Të paktën të ndërtohet një fabrikë keksi, dhe e artikujve të këtillë të ngjashëm,dhe jo të importohen nga republikat tjera! Pastaj një fabrikë çorapesh, sikur të mos kishim lesh etj.
Ndërsa kur bëhet fjalë rreth “bira e minit 300 groshë”, ju falënderojmë shumë, sepse shqiptarët nga Kosova dhe nga Jugosllavia janë mësuar të paguajnë edhe më shtrenjtë dhe atë edhe me nga 12 mijë grosh që nga viti 1913 deri në Plenumin e Brioneve, ndërse kemi menduar se do të na thoni diçka tjetër.! Ju shokë udhëheqës, e themi me plot gojën se e dini këtë, por donim vetëm t’ua kujtojmë, sepse shpreheni si në Babunë se po paguajmë dhe do t’i paguajmë shtrenjtë këto demonstrata, ashtu siç nuk është vepruar në asnjë demonstratë tjetër në Jugosllavi, dhe as në botë.
Por Ju shoku Fadil dhe shokë të tjerë të Kosovës, Serbisë dhe disa të Federatës, mos keni gabuar në këtë drejtim si komunistë, komandantë dhe si gjeneralë që e dëshmon edhe vet shoku Fadil. Gjithashtu ne na befasoj edhe diskutimi i Llazar Kolishevskit në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së RSFJ-së dhe të Këshillit Federativ për mbrojtjen e rendit kushtetues e datës 29 prill 1981 në Beograd, i cili si duket ka qenë shumë i njëanshëm. Ai bënë thirrje për përdorimin edhe më tutje të forcës ndaj shqiptarëve ndërsa bën vlerësim të njëanshëm të këtyre demonstratave, duke mos marrë parasysh aspektin e realitetit objektiv të kësaj situate të krijuar në Kosovë, për të cilën folëm pak më parë. Këtu duhet thënë haptas, si komunistë, por vetëm nëse duam që t’u shmangemi fakteve dhe të vërtetës, pastaj vijnë në shprehje njëanshmëria, mbyllja në situata të ngushta vetjake dhe dominuese, për çka u përmend më lart , mendimi i shokut Kardel i cili shumë shpesh bënte thirrje se “çështja kombëtare nuk zgjidhet me ngritjen e gishtave, por me vetëvendosje dhe jo me mënyra dominuese”. Për këtë ka folur edhe shoku Tito: “Kushtetuta dhe dokumentet e tjera, shpesh herë theksonte shoku Tito, nuk duhet të jenë si shtylla betoni, por ato duhet të ndryshojnë sipas nevojave dhe kërkesave të klasës punëtore”, “ Jo vetëm të themi se e kemi zgjedhur çështjen kombëtare njëherë e përgjithmonë, porse ajo duhet gjithnjë të zgjidhet”, dhe fjalë të tjera të urta.
Prandaj duhet të jemi të matur dhe syçelur. Kështu që fjalimi i shokut Lazar Kolishevski ishte i orientuar për më shumë dhunë në Kosovë, për të kufizuar zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik etj., në vend që të apelojë për zhvillim të mëtejshëm, ai bën thirrje për kufizimin e numrit të studentëve dhe të inteligjencies duke përmendur se “edhe Kardeli paska pasur vërejtje rreth numrit të studentëve” dhe këtë duke e krahasuar në mënyrë plebishitare me Universitetin e Shkupit dhe në fund bën thirrje për përgjegjësi që duhet të mbajnë shokët udhëheqës të Kosovës për zhvillimet e fundit. Nuk duam të flasim gjë tjetër në këtë letër, sepse shumë gjëra u thanë shumë drejtë dhe pa kurrfarë romantizmi. Por, edhe shoku Kolishevski e di të vërtetën rreth asaj që ndodhi në Kosovë, i di shumë mirë shkaqet që shkaktuan këtë situate, për të cilën folëm edhe ne shkurtimisht në këtë letër. A është e mundur që të mos i dijë shkaqet e stagnimit të Kosovës, që këtu u përmendën disa probleme në mënyrë figurative rreth prapambetjes së Kosovës dhe konkluzionet rreth manifestimit të nacionalizmit dhe shumë probleme të tjera etike të saj. Prandaj, mund t’i themi Kolishevskit se dhuna, shkaktimi i frikës, bastisjet, burgosjet, stagnimet në zhvillimin e mëtejshëm e kështu me radhë, nuk janë mjete me të cilat zgjidhen problemet, por përkundrazi edhe me tej rrisin revoltën tek qytetarët dhe të tjerëve u japim mundësinë të përzien në çështjet tona të cilat mund t’i zgjidhim vet. Problemin e dhunës e theksuam në Plenumin e Katërt në Brione. Nuk është e dëshirueshme të lëshohemi në aventura të tilla, por me mençuri të shohim dhe të shqyrtojmë çështjen nacionale dhe zhvillimin nacional të të gjithë kombeve dhe kombësive, pa pretendime tendencioze dhe duke u nisur nga ajo se çfarë ka thënë shoku Tito, se “çështja e zhvillimit nacional nuk duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë, por ajo duhet të zhvillohet në mënyrë permanente”. Këtë e di me siguri edhe shoku Kolishevski. E di se me dhunë shqiptarëve të Maqedonisë u është hequr plisi i bardhe (kapela e bardhë), e di ai se shumë dasma shqiptare për shkak të flamurit kombëtar janë shndërruar në vajtim sepse milicët maqedonas nuk kanë lejuar të hyjnë në territorin e Maqedonisë me flamur (simbolin kombëtar) dhe në këtë mënyrë kanë krijuar iks probleme të këtilla. Atëherë si do ta kishim vlerësuar këtë, kur dihet se kombësia shqiptare në Maqedoni është e dyta sipas numrit të banorëve menjëherë pas kombit maqedonas, prandaj shtrohet pyetja përse të mos lejohet përdorimi i simboleve të kombësive në mënyrë legale dhe si mund të arsyetohet fakti se në Maqedoni dygjuhësia aspak nuk zbatohet. Sikur shqiptarët të mos kenë jetuar aty asnjëherë si autoktonë, siç është Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga, Manastiri, Ohri e kështu me radhë. Vallë këtë nuk e di dhe nuk e ka të njohur shoku Kolishevski?
Ose, nëse e marrim shkrimin e Nijazi Limanovskit në 25 vazhdime që është botuar në shtypin qendror në Maqedoni, i cili flet vetëm për mosnjohjen e ekzistencës së pakicës shqiptare në Maqedoni. Sipas kësaj shtrohet pyetja, a është e mundur që shoku Kolishevski nuk e ndjek shtypin maqedonas që del në Maqedoni, prandaj pse nuk e ngriti fjalën në lidhje më këtë shkrim vizual që është plot me mendime të shkencëtarëve të borgjezisë së vjetër të ish Jugosllavisë, të shkencëtarëve të paskrupull dhe nacionalist, për çka një grup shokësh të LSPP të Kosovës intervenuan, përveç përgjigjes që e dha Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Këtë çështje të Limanovskit na e bëri të ditur televizioni dhe mjetet e tjera të informimit! Pra si t’i themi kësaj dhe si ta quajmë këtë dhe si është e mundur që një shkrim i këtillë të lejohet në shtypin tonë dhe kush duhet të mbajë përgjegjësinë për këtë? Këtë e di ndoshta edhe shoku Kolishevski. Numri i madh i studentëve, me të vërtetë krijon probleme, por kjo çështje nuk është vetëm në Kosovë, gjendje e njëjtë është edhe në republikat tjera. Ky problem nuk do të shprehej në këtë mënyrë nëse ekonomia do të zhvillohej mirë, nëse nuk do të kishim prapambetje ekonomike të Kosovës, kur Kosova do të kishte fabrika, e kështu me radhë, do t’i absorbonte edhe të gjithë nxënësit që do të kryenin shkollën e mesme. Por, ku të punësohen ata, apo të enden rrugëve, apo më mirë të studiojnë. Sipas mendimit të disave del se do të ishte më mirë që ata të enden rrugëve se sa të studiojnë. Për këtë duhet të kenë fajin pedagogët, dhe shokët e vjetër udhëheqës, të cilët me siguri do të thoshin se më mirë këta të rinj të arsimohen nëpër shkolla se sa të enden rrugëve. Në entet e punësimit ka të papunë nga profile të ndryshme me kualifikime të mesme, sikurse janë: kamerierë, makinopunues, saldator, automekanik, autoelektriçistë, tregtar dhe shumë të tjerë me kualifikime të ulëta që presin punë që nga viti 1973 e këndej. Nuk ka asnjë të papunë me arsimim të lartë dhe me fakultet. Por, shumica prej tyre janë me kualifikime të mesme dhe të ulëta, ndërsa edhe më shumë janë në numër ata pa kualifikime.
Prandaj, jemi të mendimit nuk është bindëse ajo që u tha nga ana e shokëve në Kosovë, si dhe e disave në Serbi, dhe as ajo që është thënë nga ana e shokut Kolishevski. Ndoshta ndonjë mendon edhe në mbylljen e fakulteteve, atëherë edhe kjo nuk është në frymën e revolucionit dhe të statutit të LKJ-së. Planifikimi i kuadrove mendojmë se kërkon zhvillim ekonomik, dhe jo fjalë, vetëm në këtë mënyrë zgjidhen problemet. Pra, problemet nuk krijohen, nga ana e këtyre të rinjve siç thotë shoku Kolishevski të cilët kryejnë shkollën, të cilët kanë kohë të mendojnë për nacionalizmin (“nuk donim të citonim”) por nga papunësia, moskujdesi ynë dhe nga prapambetja ekonomike- që Kosova e mban si barrë mbi vete.
Kur bëhet fjalë për përgjegjësinë që duhet të mbajnë shokët udhëheqës nga Kosova, konsiderojmë se ata ia dhanë përgjegjësinë popullit të vet që nga koha para Plenumit të Brioneve, në periudhën famëkeqe të vitit 1956 deri në vitin 1966, kur ky popull përjetoj aq maltretime, shokë udhëheqës, duke nisur nga shoku Fadil, Xhavit, Ali, Milije Kovaçeviq, Xhevdet, Petar Brajeviq, Kola, Velija deri te Asllan Fazlija, nuk patën guximin të ndërmarrin asgjë për të penguar këtë moment dhe këtë akt shtazarak që e përjetoi populli shqiptar në Kosovë dhe në Jugosllavi, përkundrazi nuk iu dëgjua aspak zëri! Por, për shokun Mahmut nuk kemi ç’të themi për atë kohë, por sot mendojmë nuk është mirë që ata vet nuk kanë marrë asgjë, mendojmë për shokët, Xhavit, Mahmut, Dushko, Bahriu, Zvicer, Mustafa Sefedini dhe të tjerë, të cilët nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin vet situatën, që të mos i lejonin milicisë speciale të ndërmarrë gjërat më të zeza ndaj studentëve, studenteve dhe qytetarëve në përgjithësi, për të zbatuar në praktikë të gjithë atë që e kanë mësuar në teori dhe që bënë ushtrime me mjete evidente përkatëse, ndërsa tani mjete më konkrete u bënë qytetarët të Kosovës. Këtë nuk e themi nga pozicione egoiste dhe të pasinqerta, por me dëshmi dhe fakte të gjalla, që janë parë nga ana e qytetarëve, siç janë rastet gjatë legjitimimit- duke u thënë atyre “letërnjoftimin, dhe pastaj, duart lart ndërsa shumicës u binin me këmbë për t’u treguar, se qytetarët nuk e dinin se ai është ushtruar në atë mënyrë dhe prandaj për dy fjalë është pushkatuar njeriu ose, t’i nuk ke armë sepse t’i nuk e do atdheun”, ose “t’i ke armë sepse t’i je armik”, dhe torturime të tjera. Ose si thotë populli, “Zdryp se të vrava, hip se të vrava” etj. Për torturat që u janë bërë studentëve nëpër shtëpitë studentore, mendojmë se as ushtria gjermane nuk do të vepronte aq keq dhe aq zi, pas hedhjes së gazit lotsjellës nëpër shtëpi, milicia ka hyrë brenda dhe kudo që i është afruar rasti pasi t’i kenë kapur studentët nuk i kanë lënë pa i rrahur ose pa u shkaktuar plagë të rënda me shkopinj. Femrave u kanë rënë me shkelma barkut duke u thënë “Kurva shqiptare”, nuk do të lindësh më fëmijë shqiptar etj. Për këtë shkak disa studente janë hedhur nga kati i dytë dhe i tretë, vetëm për të mos rënë në duar të tyre, duke mos llogaritur se mund të vdesin ose mund të mbeten gjallë! Pra kjo si mund të arsyetohet dhe a ka farë logjike apo elemente humane? Ne që e kemi përjetuar këtë situatë të vështirë dramatike, e dimë vetë, ndërsa ata që nuk e kanë përjetuar le të flasin sa të duan dhe çfarë t’u vijë në gojë! Së fundi, ne konsiderojmë se kërkesa që Kosova të bëhet Republikë në kuadër të Federatës nuk minon bashkësinë tonë socialiste të krijuar me gjakun e derdhur gjatë LNÇ-së nga të gjitha kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë dhe se kjo kërkesë është në frymën e AVNOJ-it (KAÇKJ), vijës së LKJ, të Kushtetutës së RSFJ dhe të bashkëjetesës sonë. Kërkesë që është konfirmuar në të gjitha dokumentet tona partiake dhe shtetërore, nga parimet tona vetëqeverisëse, të parimeve tona kushtetuese rreth së drejtës për vetëvendosje të kombeve dhe të kombësive etj.
Gjithashtu nuk pajtohemi me atë që na përshkruhet neve, se demonstratat kanë pasur tërësisht karakter irredentist, gjoja sikur kanë pasur për qëllim bashkimin e viseve të banuara me shqiptarë në Jugosllavi dhe pastaj të bashkohen me Shqipërinë. Kjo kërkesë nuk është dëgjuar nga ana e asnjë qytetari të Kosovës.
Prandaj, lutja e qytetarëve dhe e punëtorëve të Kosovës është që në të ardhmen të jemi sa më parimor dhe syçelur ndaj këtyre gjërave të cilat janë theksuar në këtë letër tonë. Njëkohësisht, kërkojmë falje që këto gjera nuk patëm mundësi t’i prezantojmë edhe më gjerë për shkak të natyrës objektive. Gjithashtu kërkesa jonë është që të shqyrtohen gjërat pa emocione, pa ndikime tendencioze, pa dëshira dhe vullnete personale, pa ndërhyrje të mundshme dhe të pamundshme, por me një kujdes të madh ashtu siç i kemi zgjidhur edhe shumë probleme më të ndërlikuara në të kaluarën tonë të largët dhe të afërt.
Jemi plotësisht të bindur se gjërat do të shqyrtohen në mënyrë reale pa kurrfarë pretendimesh të njëanshme, sepse Kosova nuk dëshiron të jetë vatër e shkatërrimit të kësaj bashkësie socialiste vetëqeverisëse..
8 maj 1981
Pranoni përshëndetje të sinqerta shoqërore nga fshatarët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës”
(Fund)