Beogradi zyrtar ka vazhduar me presionin e zakonshëm ndaj serbëve të Kosovës, të cilëve iu kërkon që assesi të mos bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila së shpejti pritet të bëhet ushtri. Kërkesë të tillë ka bërë drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili në prononcimin e tij për gazeten serbe Alo, e ka quajtur shkelje të marrëveshjes ndërkombëtare tentativat për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
”Serbët nuk duhet të marrin pjesë në një projekt të tillë, sepse do të bëheshin armë në duart e armiqve tanë”, është shprehur Gjuriq. Më tej ai ka thënë se ushtria nuk është e nevojshme në Kosovë pasi përgjegjës për sigurinë e saj është KFOR-i, njofton Klan Kosova. ”Ka një arsye pse Prishtina po dëshiron ta formojë ushtrinë dhe ajo është shkelja e ligjeve dhe dëshirës për raporte normale”, thotë ai.