Për Serbinë nuk është e pranueshëm ideja e sovranitetit të dyfishtë për veriun e Kosovës, ka thënë shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Ai, në rts ka thënë se ftesa për takimin në Berlin ka shkaktuar befasi në Bruksel dhe se ai nuk është pjesë e aktivitetit të Brukselit dhe se, sipas tij, shumë vende të BE-së janë të pakënaqura pse ai po mbahet.
“Për shembull, Austria dhe Italia janë pjesë e procesit të Berlinit dhe nuk janë ftuar në Berlin”, ka thënë Daçiqi duke shtuar se në takim nuk është as SHBA-ja.
Kjo, theksoi ai, flet se po luhen lojëra gjeopolitike, transmeton Koha.net.
“Jo më me Rusinë e Kinën, por brenda vetë Perëndimit”, thotë Daçiq.
Ai nuk pret në Berlin të ketë propozim për zgjidhjen e problemit ndërmjet Serbisë e Kosovës, por pret presion të shtuar ndaj dy vendeve në mënyrë që të vazhdojë dialogu.
“E për vazhdimin dialogut duhet hequr taksa. Ky është kusht nga ana jonë. Me siguri se do të ketë presione që ai të vazhdojë edhe pa të, përkatësisht të kërkohen kushte shtesë nga Serbia që Kosova të mëshirohet e ta heqë taksën”, ka thënë Daçiq.
Ai ka vlerësuar se kjo është e pamundshme, ashtu siç është i pamundshëm edhe ndalimi i lobimit të Serbisë për çnjohje të Kosovës.
“Na pret lufta e vështirë, e dini çfarë, sikur Serbia të kishte vënë kundërmasa, atëherë do të thuhej, hiqeni taksën, edhe ne do ta heqim. Ne nuk kemi vendosur kundërmasë, ndërsa ata do të thonë pushoni së lobuari, ndërsa vetë do ta vazhdojnë lobimin edhe më tej”, ka thënë Daçiq.
Është ankuar se Kosova ende s’e ka themeluar Asociacionin e Komunave serbe.
Ka komentuar edhe theksimet se ndoshta do të ndryshojë formati i bisedimeve që të njihet sovraniteti në gjithë territorin e Kosovës.
“Berlini nuk do të thotë fund formatit të Brukselit, sepse atë e ka rregulluar Asambleja e Përgjithshme e OKB-së”, ka thënë Daçiqi.
Siç ka thënë ai, po propozohet që zgjidhje e problemit ndërmjet Serbisë e Kosovës të bëhet në drejtimin e njohjes së Kosovës, siç është sovraniteti i dyfishtë.
“Këtu ekziston mundësia që pas dhjetë vjetësh të zhvillohet referendumi, porse atë deri më tash askush s’e ka paraqitur. Megjithatë kjo është një zgjidhje që nuk ekziston askund në botë dhe nuk shoh arsye pse Serbia do ta pranonte një zgjidhje të tillë, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net.
Ai mendon se pa Serbinë nuk ka zgjidhje për Kosovën.
“Fakti se po e thërrasin Serbinë është dëshmi se pa ne nuk mund ta mbyllin këtë çështje. Po të mundnin pa ne, nuk do të na kishin ftuar kurrë… Kush do ta vërë pikën, qoftë ai Macroni, Merkeli, Mogherini, Trumpi, Putini, ne nuk do të bëjmë asgjë që nuk është në interesin e Serbisë”, ka theksuar Daçiq.
Ka tërhequr vërejtjen se takimi i Berlinit është një përpjekje që të bëhet diçka, ndërsa ka shtuar se edhe në Berlin e edhe në Bruksel gjenden administrata në shkuarje dhe nuk dihet se si do të reflektohen këto tek administratat që vijnë dhe kush do ta marrë udhëheqjen e dialogut.
“Tash për tash nuk ka shenja se Kosova do të pranojë për ta hequr taksën derisa ne të mos e njohim pavarësinë e saj. Serbia këtë nuk do ta bëjë. E ne nuk jemi fëmijë që besojmë në përralla që Haradinaj këtë e bën i vetëm. Çdo gjë do të ishte në rregull… Le ta bëjnë atë që pritet, ne do të vuajmë pasojat e frustrimeve të tyre lidhur me atë që thonë se nuk ka ndryshim të kufijve të Kosovës, kjo është cinike dhe s’e ka asnjë mirëkuptim nga ana jonë”, ka porositur në fund Daçiq.