Benzema pranë lamtumirës nga Reali

Karim Benzema është gati të largohet nga Real Madridi. Këtë ia tha dje Carlo Ancelottit. Florentino Perez e ka ditur tashmë këtë që nga e premtja e kaluar, ndaj ka rrjedhur një pesimizëm i sinqertë për këtë temë. Sot do të ketë një takim të ri në Valdebebas dhe do të shohim nëse presidenti e trajneri mund ta bindin francezin të ndryshojë mendje.

Nuk do të jetë e lehtë, me lamtumirën zyrtare që ndoshta mund të arrijë këtë pasdite, kur kolegët e “Marca” do t’i dorëzojnë Benzema trofeun “Marca Leyenda”. Pas 14 sezonesh plot triumfe, francezi u tundua dhe thuajse u josh nga një ofertë fantastike nga Arabia Saudite. Al Ittihad i dërgoi një propozim prej 100 milionë eurosh neto në sezon, për dy vite. Ky “mal parash” është ideal për ta mbyllur me futbollin, teksa francezi numëron 35 vite e gjysmë mbi shpatulla.

Kontrata e Benzema skadon më 30 qershor dhe padyshim që Real Madridi i ka lënë atij “carte blanche”. Vendimi nëse do të qëndrojë apo jo është në duart e tij, sepse në “Casa Blanca” nuk do ta largojnë kurrë dhe nëse munden, do ta mbanin për gjithë jetën. Megjithatë, francezi e ka fituar të drejtën për ta vendosur vetë fatin e tij.

Advertisements

Benzema mbërriti në “Bernabeu” në vitin 2009 dhe është gati të largohet pas 14 sezonesh të jashtëzakonshme. Fillimisht shërbeu si ndihmës (asistues) i Cristiano Ronaldos dhe më pas si dirigjent i manovrës sulmuese të të bardhëve.

Një trajektore që kulmoi me fitimin e “Topit të Artë” më 2022. Në Madrid ai ka fituar 25 tituj, përfshirë 5 Champions në 10 vitet e fundit dhe 4 La Liga. Benzema është i huaji me më shumë ndeshje në historinë e Real Madridit (647) dhe golashënuesi i dytë, 353 gola, pas Cristiano Ronaldos.

Është e qartë se lamtumira e Benzema do ta detyronte Real Madridin të hynte në merkato për zëvendesuesin. Klubi i bardhë do të shpenzojë të paktën 120 milionë euro për Bellingham, por duhet gjetur edhe një zëvendësues i përshtatshëm për francezin. Vinicius dhe Rodrygo do të humbnin strumbullarin e manovrës së tyre, ndaj nevojitet një emër i madh.

Nuk mund të jetë Mbappé, të cilin Real Madridi dëshiron ta marrë falas vitin e ardhshëm, dhe padyshim që Haaland nuk do të lirohet kurrë nga Manchester City. Është folur shumë për Harry Kane, një lojtar që ka qenë gjithmonë i pëlqyer nga Florentino Perez, por kujdes për ndonjë mësymje të mundshme ndaj Victor Osimhen.