Karim Benzema është përfshirë në një aksident automobilistik gjatë mbrëmjes së premte pranë aeroportit të kryeqytetit spanjoll Adolfo Suarez Madrid-Barajas. Makina Audi RS6 e sulmuesit të Real Madrid është përplasur me një Nissan Note dhe incidenti ka ndodhur rreth orës 19:00.
Policia spanjolle është thirrur në skenë për të shqyrtuar dëmtimet e makinave teksa ambulanca ka ardhur për të parë gjendjen e personave që ishin në makina. Të dy shoferët janë konfirmuar se nuk kanë pasur dëmtime. Policia kreu edhe testet e alkoolit po as Benzema dhe as shoferi i makinës tjetër nuk ishin duke qarkulluar në gjendje të dehur.