Sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, nuk do të luajë në Champions League kundër Apoel të mërkurën e ardhshme për shkak të dëmtimit të pësuar në ndeshjen e barazuar 1-1 kundër Levante-s në kampionat. Klubi madrilen ka bërë të ditur se: “Karim Benzema ka pësuar një dëmtim në muskujt e këmbës së djathtë”.
Ndërkohë, e përditshmja spanjolle “AS” ka shkruar se francezi mund të mungojë nga 4 deri në 6 javë. Zidane do të ketë në dispozicion Cristiano Ronaldo për ndeshjen e Champions League, por nuk do të ketë një qendërsulmues të mirëfilltë për ndeshjen e ardhshme të kampionatit në fushën e Real Sociedad, për shkak se portugezi duhet të shlyejë skualifikimin prej pesë ndeshjesh pasi shtyu arbitrin në Superkupën e Spanjës.
Real nuk ka arritur të zëvendësojë Alvaro Morata, i shitur për 80 milionë euro te Chelsea këtë verë. “Kjo është skuadra që kemi dhe nuk mund të bëjmë asgjë, përveçse të gjejmë një zgjidhje brenda ekipit”, ka thënë Zidane.