Pesë gola në 15 ndeshje kampionati, kaq është pak për një sulmues si Karim Benzema. Francezi i Real Madridit sivjet duket se ka një “sëmundje kronike”, sepse nga ndeshja në ndeshje po tregon se është shumë larg formës së tij të mëparshme, teksa “pas dere” është si thëngjill i mbuluar Alvaro Morata, konkurrenti i tij për një vend në 11-shin e trajnerit Zinedine Zidane. Dhe, sa herë që në Madrid kritikohet një lojtar, ai shihet si alternativë për klubet e tjera evropiane, siç po ndodh aktualisht me kampionin e botës. Kështu, klubi madrilen po konsideron mundësinë për ta shitur sulmuesin në verë. “Diario Gol” shkruan se Benzema u është ofruar dy klubeve angleze, Arsenal dhe Chelsea, teksa PSG-ja gjithashtu konsiderohet një klub i interesuar. Vlera në treg e 29-vjeçarit llogaritet 60 milionë euro. Padyshim, një shifër shumë e lartë, por të tre klubet duken gati për të paguar çfarëdolloj çmimi. Më pranë lojtarit duken “Topçinjtë”, sepse në negociata pritet të luajë një rol të madh trajneri Arsene Wenger.