Trajneri i Njukasëll në Premier Ligë, Rafa Benitez, mund të jetë trajneri i ardhshëm i kombëtares së Spanjës në futboll. Sipas mediave britanike, trajneri 58-vjeçar është i pari në listën e kandidatëve për të zëvendësuar Fernando Hierro në stolin e Spanjës, ndërkohë që 48 orë para fillimit të Botërorit “Rusi 2018” u shkarkua trajneri Julien Lopetegui, që firmosi me Real Madrid. Hierro zuri përkohësisht vendin e Lopetegui, por duket se nuk shkëlqeu në këtë detyrë, pasi Spanja u eliminua menjëherë pas fazës së grupeve në Botëror, ndaj iberikët po mendojnë të sjellin një trajner me përvojë. Njukasëll ende nuk ka rinovuar kontratën me Rafa Benitezm (skadon në verën e 2019-ës), që kërkon më shumë siguri dhe një merkato të fortë, por këto duken të vështira për t’u realizuar. Ai ka përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, ka drejtuar skuadra më të mëdha në Evropë dhe mund të jetë kandidati i duhur për stolin e Spanjës. Për stolin e Spanjës përflitet se mund të jetë kandidat edhe Luis Enrike, por duket se ish-trajneri i Barcelonës preferon një skuadër klubi.