Që nga dita e hapjes së “Allianz Stadium”, i njohur ndryshe si “Juventus Stadium”, skuadra bardhezi ka mbajtur gjithmonë vendin e parë për numrin e biletave të shitura në raport me kapacitetin që ofron ky impiant, por tani gjërat kanë ndryshuar! Në këtë sezon, stadiumi i Juventusit ka qenë i mbushur në 92 për qind të kapacitetit të tij gjatë ndeshjeve që kampionët e Italisë kanë luajtur brenda fushe, por ka dy ekipe që kanë bërë më mirë, ato të ardhura nga kategoria e dytë: Benevento dhe SPAL. 97.3 për qind e stadiumit të Benevento “Vigorito” ka qenë gjithmonë e mbushur, ashtu si 92.7 për qind të stadiumit të SPAL, “Mazza”.
Dy skuadrat e tjera që arrijnë të mbushin 3/4 e stadiumit kur luajnë brenda janë Kaljari dhe Napoli. Stadiumi më bosh në Serie A është “Bentegodi” i Veronës. Vetëm 35 për qind e tij mbushet me tifozë kur luan Kievo. Edhe “Olimpico” nuk ka shifra të mira, pasi kur luan Lacio mbushet vetëm 37.4 për qind e stadiumit, ndërsa kur luan Roma 52,8 për qind. Gjithsesi, duke iu referuar të dhënave të këtij sezonit, numri i tifozëve që ndjekin në stadium ndeshjet e kampionatit italian është rritur me 11 për qind, ndërsa në total stadiumet mbushen në 63 për qind të kapacitetit të tyre.