Masat e para për pritjet e udhëtarëve që vijnë nga vendet e prekura ka gjasa të mos jenë të plota, sepse me sa shohim, nuk janë të mbuluara gjitha vendkalimet kufitare. Është shumë i rëndësishëm kufiri me Serbinë, prej nga vijnë udhëtarët me autobusë nga Italia, nëpërmjet linjave të rregullta…
Nga Daut DAUTI
- Koronavirusi erdhi…
Një shoku im shkroi në Facebook: nuk është çështja se a do të vijë, por kur do të vijë koronavirusi në vendin tonë. Nuk e di a e shkroi këtë para, ose pasi u konstatua rasti i parë “pozitiv”, të mërkurën, 26 shkurt, apo ishte koincidencë, por për të gjithë ne, pushoi “ëndrra”. Ajo ëndrra e dëgjuar e gomarit të cilin e kishte kapur ujku dhe po e hante. I gjori, në ato momente i thoshte vetes: Bënëm zot ëndërr!
Kjo është si ajo ikje nga e vërteta, kur njerëzit nuk duan t’i besojnë një gjëje që s’duan të ndodhë. Por, për fat të keq, sikundër që gripi i derrave para do vitesh na mbante nën ethe, tash edhe koronavirusi, i cili gjeti “rrugët” për të ardhur edhe te ne nga Kina e largët, dhe do të duhet të përballemi me të. Nëse deri para pak ditësh shpresonim se do të kurseheshim, arritja më parë në Itali, ku punojnë dhe jetojnë mijëra punëtorë sezonalë ose të përhershëm nga Maqedonia, nuk ishte ogur i mirë. Të shpresojmë se në këtë shpresë të rrejshme se do të kursehemi, nuk do të kenë rënë edhe autoritetet dhe institucionet shëndetësore që të mos kenë ndërmarrë me kohë masat parandaluese. Por ka gjasë qe edhe ato as kanë ditur, as e kanë pritur se kaq shpejt mund të na trokasë virusi në derë, e ndoshta edhe se s’kanë pasur shumë kohë të përgatitësin masat parandaluese. Ai solidaritet i shfaqur para pak kohësh kur maskat që prodhohen kryesisht në Kinë, ia kthyem Kinës sepse kishte më së shumti nevojë, mund t’u kushtojë shumë shtrenjtë qytetarëve. Tash barnatoret tona nuk kanë maska. Nuk kanë maska të thjeshta, e lëre më ato nano-maskat e sofistikuara që mbrojnë më mirë nga viruset. Përderisa në media lexon se nëpër barnatore nuk ka, institucionet thonë se nuk ka mungesë. Kujt t’i besosh?
Pajtohem se në vend të panikut, qytetarët të kthjellen për problemin dhe vetë të kenë kujdes dhe t’i përcjellin këshillat e mjekëve, dhe të shpresojmë se kjo befasi me arritjen e koronavirusit në Maqedoni, do t’i mobilizojë organet shëndetësore. Masat e para për pritjet e udhëtarëve që vijnë nga vendet e prekura ka gjasa të mos jenë të plota, sepse me sa shohim, nuk janë të mbuluara gjitha vendkalimet kufitare. Është shumë i rëndësishëm kufiri me Serbinë, prej nga vijnë udhëtarët me autobusë nga Italia, nëpërmjet linjav e të rregullta. Të mos harrojmë se punëtorët tanë në Itali më së shumti janë të koncentruar në pjesën veriore të Italisë dhe ka gjasa që edhe te ata të mbisundojë instinkti i mbijetesës dhe të bëjnë përpjekje për të ikur nga vatra e virusit.
- Albini dhe “(zhgj)ëndrra”
Albin Kurti e dha goditjen e parë. Atë që e kishin paralajmëruar dy partitë qeveritare që në fushatë parazgjedhore, për ta ndërruar para kohe Hashim Thaçin, tash Albini e paralajmëroi duke zbuluar një “sekret” se kryetari aktual, kur ishte kryeministër, paska lidhë marrëveshje me NATO-n, për të mos vepruar në Veri pa dijen e NATO-s. Dhe për këtë, duhet të shqyrtohet çështja në parlament ose në Gjyakatën Kushtetuese…Me këtë pajtohet Vjosa Osmani.
Menduam se qeveria e re e shpresës, do të nisë t’ua kthejë shpresën qytetarëve me politikat që do të përmirësonin gjendjen ekonomike dhe sociale. Do të ishin të padrejtë gjithë ata që mendojnë se kjo do të ndodhë brenda nate dhe për këtë ta akuzojnë qeverinë e cila është ende në muajin e parë të mandatit të vet. Ka gjëra që ndodhin sipas planit që ka bërë ajo, ka gjëra që mund të ndërmerren, qoftë në legjislativë, qoftë në masa konkrete, dhe ka një dinamikë veprimi e cila efektet e tyre do t’i përshfaqë shumë kohë më vonë. Mirëpo, një qeveri merret me gjëra fushash të ndryshme dhe të jesh sot në krye të qeverisë së Kosovës, ka dhe temat të cilat nuk presin.
Goditja që i dha Albin Kurti Hashim Thaçit, e ndaj të cilit reaguan ish kryeministri Ramush Haradinaj për ta hedhur poshtë kontekstin që e promovoi kolegu i tij i tashëm, por dhe shumë opinionistë kosovarë nuk shprehën mirëkuptim për këtë “urgjencë”. Sepse vetëm pak ditë më parë Albini paralajmëroi një bashkërenditje me kryetarin aktual në temën që “nuk pret”, pra, lidhur me vazhdimin e negociatave me Serbinë, të ndërprera për shkak të “taksës së Ramushit” për mallrat serbe.
Nuk është shumë e qartë se ç’duhet të arrihet me këtë “shpalim sekreti”, sepse vallë duke u marrë me “peshkun e madh” të politikës kosovare, duhet të shpërqendrohet vëmendja nga detyrat e rënda të shtëpisë, apo është një lojë taktike për ta nxjerrë prej loje në çfarëdo mënyre, kryetarin Thaçi, i cili vazhdon t’i kryejë obligimet, për më keq, edhe të forcojë raportet me ndërkombëtarët. Duke u munduar ta zbulojnë lojën, shumë analistë, por dhe oponentë të koalicionit qeveritar, në akuzat e kryeministrit Kurti gjetën edhe disa “nuanca” tejet problematike. U tha se ajo as që është “marrëveshje”, por një komunikim midis Thaçit kryeministër dhe Rasmunsenit, sekretar të NATO-s, shumë normal në këtë relacion. Një përfaqësues i PDK-së, i bëri një “lexim” edhe më problematik këtij veprimi, e kjo se deri tash NATO-n Kosova e ka pasur aleat përballë Serbisë, ndërkaq me problematizimin e “marrëveshjes”, kryeministri Kurti rolin e NATO-s na e nxjerr në favor të Serbisë!
Aspekti tjetër problematik, gjithsesi është ajo që e thonë me supozime disa opinionistë, e kjo se duke e nxjerrë “aferën” e Thaçit, mëtohet që të blihet kohë në heqjen e premtuar të taksës. Blerje kohë se si do të kombinohet heqja e taksës me premtimin e dhënë për vendosje reciprociteti. Mirëpo, në kontekst të insistimit amerikan, që të hiqet taksa menjëherë pa kurrfarë reciprocitet, Kurti është ballafaquar me kontekstin e përrallës së përmendur “ishalla jam ëndërr, sepse nëse diçka mund të realizohet në të mirë Kosovë, kjo nuk mund të bëhet duke i kundërshtuar aleatët amerikanë. Kjo nga ana tjetër, ka shfaqur plasaritjet brenda koalicionit, sepse ministri Abdullah Hoti, i cili ditë më parë i shijoi vezët opozitare në kokën e tij(do të ishte më e logjikshme që kjo “sefte” të ishte bërë te koka e ndonjë ministri të VV-së, sepse ata më parë gjuanin me vezë!), mendon se nuk ka kohë “për zgjidhje tjera kreative” që shkon në një disonancë serioze. Por, serioze edhe ngase pozicioni i tij mund të jetë më ndryshe edhe brenda partisë së tij, përderisa Vjosa Osmani është më afër me qëndrimet e Albin Kurtit.
Ajo që duket sheshazi, është se qeveria e Kurtit duhet të ballafaqohet me hekurin e nxehtë të bisedimeve dhe nëse taksa është problemi, dhe nëse dikush aty e shikon me dilemën “të jesh a të mos jesh”, ose se Kosovës i bëhet presion jo shembullor, mua më duket se heqja e saj është flijesa më e vogël që mund të bëhet, kurse çështja e reciprocitetit, kuptohet, mund të lihet hapur varësisht se si do të sillet Serbia në të ardhmen.
Nga ana tjetër, pas futjes gjithnjë e më tepër në çështjet serioze të Kosovës, Albin Kurti dhe duhet t’i hapë sytë e të mos thotë “ishalla mashalla kjo s’na ndodh ne”, sikundër që edhe opozita po ballafaqohet me një hije të saj që sot i kthehet si bumerang. Është fjala te ballafaqimi me Gjykatën Speciale, përmes shtimit të numrit të ftesave, që gjithnjë e më tepër sillet nga disa emra atraktivë. Nëse kanë menduar se ajo gjykatë është themeluar sa për sy e faqe, janë mashtruar keq. Ne sa i përket Gjykatës, që në fillim kemi qenë kundër, tha Rexhep Selimi dhe ata që e kanë votuar, le të ballafaqohen tash me të.
Këto zhvillime jo vetëm që e bëjnë më interesante por dhe më të komplikuar situatën në Kosovë. Ai që është në pushtet, tash nuk ballafaqohet vetëm me vezët e opozitës në kokat e ministrave, sepse si tha R.Selimi, kjo është gjëja më e vogël, por me gjërat për të cilat janë dhënë premtime se do të zgjidhen më mirë se ata më parë. Sikundër që opozita duhet të pajtohet (ajo thotë se është pajtuar, por prapë bën zhurmë) me pasojat e ndërrimit të pushtetit dhe nuk duhet të çuditet kur ndërrohen anëtarë këshillash a organesh tjera dhe këto ndërrime janë më se normale kur ndërrohet pushteti.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)