Presidenti i Barcelonas, Josep Maria Bartomeu, ka thënë se Lionel Messi e ka nënshkruar kontratën e re me klubin. Por kjo deklaratë është kundërshtuar nga Agusti Benedito, i cili beson se vetëm babai i argjentinasit ka nënshkruar. Benedito, një ish-kandidat për presidencën e klubit katalanas, aktualisht po zhvillon një fushatë për të siguruar një votë mosbesimi kundrejt Bartomeut dhe bordit drejtues, fajtorë sipas tij se janë shkaktarët e “një krize institucionale”. Dhe pasi ka thënë se Bartomeu “ka humbur çdo kontroll”, ai ka vënë në dyshim deklarata e tij në lidhje me kontratën e Messit, marrëveshja aktuale e të cilit skadon në më pak se një vit. Benedito ka thënë se vetëm babai i “Pleshtit” ka nënshkruar marrëveshjen dhe deri në momentin që ai nuk do të nënshkruajë, kjo marrëveshje “nuk ka asnjë vlerë”.
“Bartomeu ka thënë se kontrata është nënshkruar, por kjo nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Benedito në një konferencë për shtyp të mbajtur të enjten. “Pa firmën e Messit kjo marrëveshje nuk ka asnjë vlerë”. Benedito ka vazhduar më tej duke sugjeruar se arsyeja pse Messi po e shtyn rinovimin ka lidhje me faktin se Bartomeu është presidenti i klubit. “Është e mundur që prania e Bartomeu është pengesa kryesore që kontrata nuk është rinovuar. Shpresoj që presidenti të thotë të vërtetën në lidhje me këtë çështje, sepse nuk është hera e parë që gënjen”, përfundoi Agusti Benedito.