Sulmuesi danez Niklas Bendtner është paraqitur në polici nga një taksist në Kopenhagë. Taksisti ka akuzuar yllin danez se e ka sulmuar dhunshëm në orët e hershme të së dielës. Taksistit i është thyer nofulla dhe është dashur t’i nënshtrohet një operimi. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i firmës së taksit Dantaxa, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Gazeta daneze “Ekstra Bladet”, sipas burimeve, ka raportuar se Bendtner është arrestuar nga policia herët të dielën, por është liruar më pas. Bendtner aktualisht është pjesë e skuadrës norvegjeze Rosenborg dhe nuk është ftuar nga përfaqësuesja e Danimarkës për t’u përballuar me Uellsin, në ndeshjen që u luajt të dielën në Aarhus. Një zëdhënës i policisë së Kopenhagës ka konfirmuar se ka pasur një numër të rasteve të raportuara gjatë natës për dhunë ndaj taksistëve, mirëpo ka refuzuar të komentojë për raste individuale. Ndërkohë nga Rosenborgu dhe po ashtu nga Federata e Futbollit të Danimarkës kanë refuzuar të komentojnë.